E Diel, 1 Nëntor 2026

Ibrahimaj: Buxheti 2026 mbështet përgatitjen e ekonomisë për konkurrueshmëri europiane

TIRANË, 12 nëntor /ATSH/ Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat zhvilloi sot një seancë dëgjimore me ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj, për shqyrtimin e buxhetit dhe investimeve të parashikuara për vitin 2026.

Ibrahimaj deklaroi se totali i fondeve të planifikuara për ministrinë në vitin 2026 është 41,7 miliardë lekë, të ndara në: 5,08 miliardë lekë për paga dhe sigurime shoqërore, 34,2 miliardë lekë për programe korrente dhe mbështetëse dhe 2,4 miliardë lekë për investime kapitale, brenda dhe jashtë vendit.

Sipas saj, buxheti mbështet dy shtylla kryesore: Ekonominë, për forcimin e prodhimit vendas, nxitjen e punësimit dhe mbështetjen e sipërmarrjes, dhe Inovacionin, që synon transformimin digjital dhe përgatitjen e ekonomisë për konkurrueshmëri europiane.

Ibrahimaj tha se “ky projektbuxhet parashikon një rritje të pagave dhe pensioneve, duke ruajtur fuqinë blerëse dhe duke siguruar një shtesë prej rreth 200 milionë euro vetëm për vitin 2026. Paga minimale do të rritet nga 400 në 500 euro për 307 mijë punonjës, ndërsa pagat në administratën publike, arsimin, shëndetësinë dhe Policinë e Shtetit do të rriten nga 3 mijë deri në 10 mijë lekë në muaj. Për pensionet, nis nga janari 2026 kompensimi i të ardhurave çdo vit mbi indeksimin e zakonshëm”.

Sipas saj, fuqizimi i tregut të punës mbetet prioritet kryesor, me një buxhet prej 4,9 miliardë lekë, rritje 65% krahasuar me 2025. Ky fond mbulon Garancinë Rinore për punësimin e të rinjve, skemat e subvencionimit të pagave, programet e formimit profesional dhe përfshirjen e grupeve vulnerabël.

Gjithashtu theksoi ajo, investimet kapitale të planifikuara për 2026 përfshijnë projektimin dhe ndërtimin e Qendrave të Formimit Profesional dhe Qendrave Multifunksionale për trajnime, si Kampusi i Aftësive, Qendra “Hermann Gmeiner” dhe Qendra e Formimit Profesional Durrës.

Ministrja Ibrahimaj theksoi se buxheti është në përputhje me objektivat e programit “Shqipëria 2030”, duke synuar integrimin europian, rritje të qëndrueshme ekonomike, mirëqenie sociale dhe paga dinjitoze për qytetarët.

/e.xh/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›