Ibrahimaj: Eksportet e shërbimeve të IT rritje me gati 30 herë, paga mesatare 2500 euro

TIRANË, 15 prill/ATSH/ Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se bizneset që operojnë në fushën e teknologjisë dhe informacionit janë rritur me gati 20 herë, ndërsa eksportet e shërbimeve në këtë fushë me gati 30 herë.
Ibrahimaj zhvilloi sot një takim, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, në kompaninë RITECH, e cila sot jo vetëm zhvillon, por edhe eksporton shërbime.
Sipas saj, RITECH është një kompani model e zhvillimit të teknologjisë së informacionit, ku punohet për Amerikën dhe Europën, me 300 të punësuar në Shqipëri dhe 650 në Kosovë e Maqedoni.
“Besoj se është një nga shembujt konkretë se si është zhvilluar teknologjia e informacionit në vend. Nëse ne do të vinim në një kompani të tillë 10 vite më parë, do të shikonin të rinj e të reja, në një call center, me nga një palë kufje, duke bërë thjeshtë telemarketim dhe do të kishin pagë mesatare rreth 300 euro”, tha ajo.
Sot, vijoi Ibrahimaj, te kjo kompani e mijëra kompani që janë zhvilluar në 10-vjeçarin e fundit, në teknologjinë e informacionit, paga mesatare është 2500 euro.
“Pagat shkojnë edhe më shumë. Bëhet fjalë për një punë të shumëmirëpaguar. Bëhet fjalë për një kompani që prodhon dije, eksporton dhe zhvillon talent”, shtoi ministrja.
Sipas saj, eksportet e shërbimeve të teknologji-informacionit kanë arritur në 210 milionë euro, nga 8 milionë euro 10 vite më parë.
“Eksporti i shërbimeve të IT është më shumë se 20-fishuar në 10-vjeçarin e fundit. E kemi nisur kur eksportoheshin 8 milionë euro dhe kishte 250 biznese në këtë sektor, me 1 mijë të punësuar. Sot ekspotohen shërbime me vlerë 210 milionë euro dhe janë 4200 biznese që operojnë me gati 18 mijë të punësuar”, deklaroi ministrja Ibrahimaj.
Ministrja vuri në dukje se ky zhvillim i shpejtë i këtij sektori ka ardhur edhe falë mbështetjes me politika nga ana e qeverisë.
“Ky është një sektor që ne e kemi nxitur, për hir të së vërtetës, jo vetëm me investimet në infrastrukturën digjitale, që kanë dhënë punë për sektorin e IT, por edhe me politika fiskale të lehtësuar”, shtoi ajo.
RITECH, informoi ministrja, ka bërë aplikim për t’u bërë pjesë e parkut teknologjik DURANA, për të zhvilluar akoma më tej teknologjinë e informacionit, ekonominë e dijes dhe talentet shqiptare.
/a.f//r.e/