E Martë, 3 Nëntor 2026

Denaj: Mbështetja e agroturizmeve, prioritet për zhvillimin e ekonomisë lokale

TIRANË, 15 prill /ATSH/ Bujtina “Makry” në Pukë është një shembull i ndërlidhjes me fermerët e zonës për të ofruar shijen autentike shqiptare tek turistët vendas dhe të huaj.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ndau në rrjete sociale pamje nga kjo bujtinë, ku çdo pjatë përgatitet me prodhime “Made in Albania” që pasqyron traditën dhe  kulturën e zonës.

“Falë mikpritjes së jashtëzakonshme dhe bukurive natyrore të zonës, “Makry” është kthyer në një destinacion të dashur për turistët vendas e të huaj”, tha Denaj.

Denaj theksoi se, “me linjën e financimit të Kredisë së Butë, të mbështetur nga Garancia Sovrane dhe Paketa e Maleve, nxisim investimet në agroturizëm për zgjerimin, modernizimin dhe zhvillimin e ekonomisë lokale”.

“Kjo bujtinë është krijuar në vitin 2018 dhe në këto vite ne kemi mikpritur shumë turistë vendas të huaj, që kryesisht kanë qenë çekë, italianë por edhe nga vende të tjera të Europës”, tregon djali i familjes që drejton këtë biznes.

Ai thotë se, fshati Kryezi ka shumë vende të bukura me peizazhe piktoreske, që i shtojnë vlerë turizmit në këtë zonë.

Bujtina ofron tetë dhoma akomodimi dhe mbi të gjitha aty serviret ushqim dhe gatime tradicionale me shijen tipike pukjane.

/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›