E Diel, 1 Nëntor 2026

Ibrahimaj: Investimet e huaja direkte arritën në 1,14 miliardë në janar-qershor

TIRANË, 29 shtator/ATSH/ Investimet e huaja direkte në Shqipëri arritën në 1,14 miliardë euro në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, ndërsa stoku i tyre u rrit në 18,42 miliardë euro.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj tha sot në konferencën për shtyp se fluksi i investimeve të huaja direkte gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti është mbi 50% më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa stoku është rritur me 15,3%.

Sipas saj, një tjetër tregues i stabilitetit ekonomik është rezerva valutore.

“Rezerva është një tjetër tregues i cili tregon për stabilitetin ekonomik të vendit dhe fuqinë e vendit për t’u ruajtur nga goditje potenciale që mund të vijnë nga tregjet e huaja. Rezerva valutore është rritur me 18,6%, duke arritur 8,1 miliardë euro”, tha Ibrahimaj.

Më tej ministrja Ibrahimaj bëri të ditur se “investimet e huaja direkte janë kryesisht investime të kryera në real estate. 53,3% e tyre janë investime të real estate dhe kjo, në fakt, është dhe në linjë me treguesit që unë sapo paraqita të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ku sektori i real estate kishte kontribuar pozitivisht në rritjen ekonomike të vendit”.

Ndërsa sektorë të tjerë, shtoi ajo, të cilët janë me peshë në investimet e huaja direkte, lidhen me aktivitetet financiare dhe të sigurimit, industria përpunuese, tregtia, energjia dhe informacionet dhe komunikacioni, pra degët kryesore që, në fakt, janë në fokus të politikave tona zhvillimore si sektorë strategjikë.

Sa i takon fluksit të investimeve të huaja direkte sipas vendeve, Ibrahimaj tha se “kemi pasur vendin me fluksin më të lartë ka qenë Austria, e ndjekur nga Turqia, Italia, Holanda dhe Kosova”.

/k.s/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›