E Diel, 1 Nëntor 2026

Ibrahimaj: Monitorimi i vazhdueshëm i Bordit të Transparencës shmang rritje spekulative të çmimit të karburanteve

TIRANË, 10 prill /ATSH/ Qeveria shqiptare ka si prioritet kryesor minimizimin e efekteve të krizës së krijuar nga zhvillimet ndërkombëtare, përfshirë luftën në Iran, në tregun vendas.

Kështu deklaroi ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, në një prononcim për gazetarët pas mbledhjes së qeverisë.

E pyetur nëse do të ketë ulje të taksës së qarkullimit, Ibrahimaj theksoi se qeveria ka ngritur Bordin e Transparencës, me qëllim garantimin e një tregu të drejtë dhe shmangien e abuzimeve në rastet e rritjes së çmimeve.

“Ka shumë raste kur rritja e një produkti reflektohet në rritjen e çmimeve të produkteve të tjera, veçanërisht në rastin e karburanteve. Qëllimi i Bordit të Transparencës është të mos lejojë rritje spekulative të çmimeve, por të pasqyrojë realitetin e bursave ndërkombëtare”, u shpreh ajo.

Ministrja theksoi se monitorimi i vazhdueshëm synon që çmimet në tregun shqiptar të reflektojnë realisht kostot e importit dhe jo të rriten në mënyrë të pajustifikuar.

Sa i takon taksës së qarkullimit, Ibrahimaj u shpreh se nuk ka nevojë për ndërhyrje, duke nënvizuar se kjo taksë funksionon mbi parimin që kush konsumon më shumë karburant, paguan më shumë.

Ajo bëri të ditur se qeveria ka parashikuar një mekanizëm lehtësues përmes një akti normativ, i cili mundëson uljen e akcizës me 20% në rastet kur çmimi i karburantit kalon mbi 220 lekë për litër.

Duke iu përgjigjur interesit për përjashtime nga taksat, Ibrahimaj theksoi se është bërë një analizë e detajuar mbi ndikimin e çmimit të naftës në shportën e konsumit, ku pesha e saj vlerësohet rreth 3%. Sipas saj, bizneset përdorin më shumë energji elektrike sesa karburant, ndërsa për sektorë të caktuar si bujqësia dhe peshkimi janë aplikuar lehtësi dhe përjashtime nga disa taksa.

Qeveria, theksoi ajo, do të vijojë monitorimin e tregut dhe do të ndërhyjë në mbështetje të shtresave në nevojë nëse do të jetë e nevojshme.

e.xh/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›