Ibrahimaj: Puna, rritja e pagës minimale dhe mbështetja për bizneset prioritete në pr.buxhetin e 2026-ës

TIRANË, 18 nëntor/ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë një takimi sot me banorë të njësive bashkiake 8 dhe 9 në Tiranë deklaroi se në projektbuxhetin për vitin 2026 parashikohen një sërë masash të rëndësishme që do të kontribuojnë në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, përfshirë rritjen e pensioneve, të ardhurave për punëmarrësit dhe mbështetje për bizneset.
Në kuadër të këtij buxheti, një nga ndryshimet më të dukshme është rritja e pensioneve për kategoritë urbane dhe rurale.
Ibrahimaj informoi se pensioni urban do të rritet nga 27 mijë lekë në 40 mijë lekë, ndërsa pensioni i pjesshëm do të shkojë mesatarisht në 22 mijë lekë. Kjo rritje do të jetë progresive duke vazhduar çdo vit deri në 2030-ën. Po ashtu, pensionistët e zonave rurale do të përfitojnë një rritje të konsiderueshme, duke arritur mesatarisht 18 mijë lekë.
Një tjetër nismë e rëndësishme është rritja e pagës minimale, e cila, sipas Ibrahimaj, do të arrijë 500 euro nga 1 janari dhe do të shkojë në 700 euro deri në përfundim të mandatit.
“Kjo rritje do të mbështesë rreth 300 mijë punonjës që përfitojnë pagë minimale dhe do të përmirësojnë ndjeshëm të ardhurat e tyre”, tha ministrja.
Ajo gjithashtu vuri në dukje se qeveria do të mbështesë bizneset për rritjen e pagës minimale përmes subvencionimit të kontributeve për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.
Ministrja Ibrahimaj nënvizoi gjithashtu rëndësinë e mbështetjes për bizneset dhe ndërmarrjet e vogla.
“Ne kemi ndjekur një politikë mbështetjeje për bizneset e vogla që na ka bërë liderë në rajon. 90% e bizneseve në Shqipëri nuk paguajnë tatimfitimi, duke përfituar 1,7 miliardë lekë të cilat çdo vit qëndrojnë në buxhetet e familjeve shqiptare si mbështetje për të rritur të ardhurat e tyre dhe për të stimuluar zhvillimin e ekonomisë”, tha Ibrahimaj.
Ministrja tha se nga 1 janari hapet një kapitull i ri mes shtetit dhe sipërmarrjes.
“Nuk duam që marrëdhënien me biznesin ta lidhim përmes forcës, por duam të nënshkruajmë një kontratë me biznesin. Tatimet i ofrojnë biznesit të paguajë një tatim bazuar mbi të ardhurat e viteve të kaluara dhe çdo e ardhur shtesë mbi këtë masë do të ketë një tatim prej vetëm 5%, nga 15% që është tatimi zyrtar”, u shpreh ajo.
Ibrahimaj tha se përmes paketës së re fiskale ndihmojmë bizneset të rregullojnë pasqyrat e tyre financiare pas një periudhe të gjatë tranzicioni.
“Do t’i japim mundësinë biznesit duke e ditur se vijmë nga një periudhë e gjatë tranzicioni të shkojë mbrapsht dhe të rregullojë pasqyrat financiare dhe ato problematika që mund të ketë pasur në të kaluarën. Rishikimi i pasqyrave financiare do të jetë në nivelin 5% nga 1 % që paguhet nga rishikimet sot”, tha Ibrahimaj.
Ministrja gjithashtu bëri të ditur se një tjetër masë do të jetë mbështetja për programet e trajnimit dhe vetëpunësimit. Në buxhetin e vitit 2026 janë parashikuar 12 milionë euro për nxitjen e punësimit dhe zhvillimin e aftësive që kërkon tregu i punës.
“Qëllimi është që të ndjekim kërkesat që tregu i punës kërkon dhe të financojmë një pjesë të atyre aftësive që biznesi sot kërkon”, tha Ibrahimaj.
Sipas Ibrahimajt, projektbuxheti i vitit 2026 synon të mbështesë të gjithë shtresat e shoqërisë, veçanërisht ata me të ardhura të ulëta, dhe të sigurojë një zhvillim të qëndrueshëm dhe rritje ekonomike për të gjithë.
Nga 1 janari do të ketë edhe indeksim të pagave për të gjithë punonjësit e administratës publike në nivel qendror e vendor.
“Në fakt sot paga mesatare në sektorin publik ka arritur në 1000 euro, që është një nivel më i lartë se ai në sektorin privat. Për ne është thelbësore të rritet pagesa për punën dhe të arrijmë nivelin e vendeve europiane në një të ardhme të afërt”, tha Ibrahimaj.
/r.e/