Ibrahimaj: Rritja ekonomike 4.1% vitin e ardhshëm, nga konsumi dhe investimet

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se rritja prej 4.1 % e ekonomisë në vitin që vjen pritet të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si nga konsumi privat ashtu edhe nga investimet.
Ibrahimaj prezantoi sot në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave projektbuxhetin për vitin 2022, ku bëri të ditur se do të vijohet mbështetja e sektorëve prioritarë si arsimi, shëndetësia, bujqësia, infrastruktura, si dhe mbështetjen e plotë të procesit të rindërtimit nga tërmeti i 26 nëntorit, të cilët garantojnë stimuj pozitivë për rritjen ekonomike duke gjeneruar njëkohësisht punësim.
“Rritja ekonomike përgjatë periudhës 2022-2024 pritet të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si nga konsumi privat ashtu edhe nga investimet. Ndërkohë që kërkesa e jashtme neto pritet të ketë efekt pozitiv të moderuar. Eksportet si të mallrave ashtu edhe të shërbimeve, veçanërisht turizmi, pritet të kenë një ecuri të mirë, por njëkohësisht pritet që edhe importet të kenë po ashtu një rritje, në reflektim të rritjes së kërkesës agregate, veçanërisht investimeve, e për rrjedhojë kontributi neto i kërkesës së huaj në afat të mesëm pritet të jetë sërish pozitiv, por ndjeshëm më i moderuar se ai i kërkesës së brendshme”, tha Ibrahimaj.
Ministrja shpjegoi se investimet totale në ekonomi parashikohen të rriten në terma realë mbi nivelin 5.5% në vitet 2022-2024, me një kontribut mesatar në rritjen totale prej rreth 1.2 % në vit.
“Në vitin 2022, të ardhurat totale të buxhetit parashikohen të arrijnë 536.8 miliardë lekë, nga këto, të ardhurat tatimore 500.1 miliardë lekë dhe brenda zërit të të ardhurave tatimore, të ardhurat që mblidhen nga tatimet dhe doganat 360.5 miliardë lekë. Ndërkohë, të ardhurat nga kontributet planifikohen 112 miliardë lekë”, deklaroi Ibrahimaj.
Krahasuar me të pritshmin e vitit 2021, të ardhurat gjithsej të buxhetit të shtetit për vitin 2022 sipas ministres Ibrahimaj, parashikohen të rriten me 7.8%.
Ministrja po ashtu bëri të ditur se shpenzimet buxhetore për vitin 2022 janë programuar në nivelin e 637.6 miliardë lekë ose 34.1% e PBB-së.
“Shpenzimet buxhetore për vitin 2022 janë rreth 28 miliardë lekë më shumë se plani i përditësuar i shpenzimeve buxhetore për vitin 2021, duke e bërë kësisoj buxhetin më të madh të të gjitha kohërave”, tha Ibrahimaj.
Më tej, ministrja u shpreh se investimet publike për vitin 2022 janë planifikuar në masën 6.4% e PBB-së ose 119 miliardë lekë, duke përfshirë këtu dhe fondin e rindërtimit në shumën 20 miliardë lekë si dhe transfertën kapitale për fondin e shpronësimeve me 1,8 miliardë lekë.
“Në planifikimin e investimeve për vitin 2022 janë mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet e investimeve me financim të huaj dhe të brendshëm. Përparësi ka financimi i projekteve në vazhdim”, tha ajo.