Ibrahimaj: Thirrjet për programin e strehimit pritet të hapen brenda nëntorit

TIRANË, 29 shtator/ATSH/ Ndryshimet në ligjin për strehimin pritet të miratohen në qeveri brenda mesit të tetorit, ndërsa synohet që pas miratimit në Kuvend, thirrjet për programet e strehimit të hapen brenda nëntorit.
Kështu deklaroi sot ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj në konferencën e sotme për mediet.
“Ne jemi duke punuar paralelisht për aktet nënligjore, të cilat do t’i hapin rrugën thirrjes “Për programin e strehimit”, përfshirë kreditë e buta me norma interesi të subvencionuara, por edhe të programit të qirave”, tha Ibrahimaj.
Ministrja Ibrahimaj u shpreh se “politikat e strehimit, të cilat më parë kanë qenë të përqendruara kryesisht te shtresat sociale, tashmë do të kenë një gamë më të gjerë përfituesish”.
Sipas saj, janë rritur kufijtë e të ardhurave për përfituesit, me synim përfshirjen e çifteve të reja, profesionistëve të rinj dhe shtresës së mesme.
“Duam që këto politika t’u dedikohen çifteve të reja, por dhe profesionistëve të rinj. Një i ri ose e re që sapo ka përfunduar shkollën, që do të investojë në një banesë dhe nuk do të qëndrojë me qira”, tha Ibrahimaj.
Ajo nënvizoi se programet e reja do të synojnë edhe familjet me të ardhura mbi mesataren, duke bërë të mundur që një çift me pagë mesatare ose pak më të lartë se mesatarja të mund të përfitojë nga këto skema.
Ibrahimaj shprehu pritshmërinë që ndryshimet në ligjin për strehimin të miratohen në Kuvend brenda mesit të nëntorit, sipas afateve proceduriale, ndërsa menjëherë pas miratimit pritet të shpallen thirrjet për aplikim.
“Uroj shumë që të mund t’i shpallim brenda muajit nëntor”, tha Ibrahimaj.
/k.s/j.p/r.e/