E Diel, 1 Nëntor 2026

Ibrahimaj: Ekonomia u rrit me 3,61% në tremujorin e dytë të vitit

TIRANË, 29 shtator/ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se “ekonomia shqiptare në tremujorin e dytë të vitit u rrit me 3,61%, një ecuri në mesataren e rritjes tremujore që ekonomia ka pasur gjatë gjithë viteve të fundit, pra gjatë gjithë viteve pas pandemisë”.

Në konferencën e sotme për shtyp për treguesit e ekonomisë për muajt janar-gusht,  Ibrahimaj theksoi se “të dhënat tregojnë se kemi pasur një rritje të qëndrueshme dhe një konsolidim të mëtejshëm të stabilitetit makroekonomik.

“Kemi pasur zhvillime pozitive për sa i përket zhvillimeve sektoriale. Kemi pasur zgjerim të kërkesës dhe gjithashtu ecuri pozitive të investimeve, siç do shohim dhe në paraqitje. Nga ana e sektorëve, pra nga ana e kërkesës, aktivitetet kryesore të ekonomisë që kanë rezultuar me rritje kanë qenë administrimi publik, arsimi dhe shëndetësia, që ka pasur rritje më të madhe prej 12,14%, por dhe kontributin më të madh në rritje, 1,38 pikë përqindje, i ndjekur nga sektori i tregtisë, transportit dhe akomodimit, i cili gjithashtu ka pasur një rritje prej 5,53% dhe një kontribut në rritjen ekonomike prej gati 1 pikë përqindje”, tha Ibrahimaj.

Ministrja Ibrahimaj u shpreh se “të gjithë nënsektorët e tregtisë, transportit dhe akomodimit kanë rezultuar në rritje në tremujorin e dytë të vitit, duke reflektuar një ecuri pozitive jo vetëm të këtyre  sektorëve në vetvete, por në rastin e tregtisë kemi pasur një ecuri pozitive qoftë të tregtisë me shumicë, ashtu dhe të tregtisë me pakicë, që tregon për një aktivitet pozitiv të këtij sektori dhe gjithashtu tregon për një aktivitet në rritje të konsumit të familjeve shqiptare”.

Gjithashtu, vijoi Ibrahimaj, transportet dhe akomodimi kanë qenë të ndërlidhura me sektorin e turizmit. Ka pasur një ecuri pozitive në të dy këta nënsektorë, duke treguar që kërkesa për turizëm ka ardhur në rritje, siç do të duket dhe më tutje në shifrat e tjera të tërthorta që ne kemi për turizmin.

Duke u ndalur tek administrimi, arsimi dhe shëndetësia, Ibrahimaj tha se “kemi pasur një rritje pozitive, që tregon për një kërkesë në rritje të shërbimeve publike dhe private. Të dy komponentët, qoftë komponenti publik, qoftë komponenti privat i arsimit dhe i shëndetësisë, kanë ardhur në rritje në tremujorin e dytë të vitit, duke reflektuar jo vetëm, siç thashë, rritjen e kërkesës për këto shërbime, por duke reflektuar gjithashtu edhe investimet e shtuara në këto dy sektorë të rëndësishëm në jetën e qytetarëve”.

Sipas saj, një sektor tjetër, i cili ka rezultuar në rritje dhe pozitiv në ekonominë tonë në tremujorin e dytë të vitit, është sektori i pasurive të paluajtshme, i cili gjithashtu është ndërlidhur me turizmin.

“Ndërkohë që sektorë të cilët gjithashtu kanë ardhur me rritje kanë qenë informacioni dhe komunikacioni, që është rritur me 2,58% në tremujorin e dytë të vitit. Po, brenda këtij sektori kemi pasur një rritje të shërbimeve të teknologjisë së informacionit me më shumë se 10%, duke vijuar një trend i cili prej vitesh tashmë ka ardhur me rritje dhe ka sjellë një zgjerim të mëtejshëm të sektorit”, tha Ibrahimaj.

Ibrahimaj tha se industria u shfaq me rritje të lehtë prej 0,47%.

“Brenda sektorit të industrisë kemi pasur rritjen më të fortë të energjisë elektrike, e cila është në 6,14%, duke vijuar trendin pozitiv që ka pasur”, theksoi ministrja.

Ministrja Ibrahimaj u shpreh se “degët që kanë shfaqur ecuri negative kanë qenë bujqësia, pyjet dhe peshkimi, e cila në të vërtetë prej disa vitesh tashmë ka rezultuar me ecuri negative, por ndërkohë brenda këtyre sektorëve vet bujqësia në terma nominalë ka ardhur në rritje me rreth 2%, e cila reflektohet në fakt edhe në shifrat e eksportit të prodhimeve bujqësore dhe ushqimore”.

Ndërkohë, shtoi ajo, me rënie kanë qenë gjithashtu edhe art, argëtim ,shplodhje dhe aktivitetet profesionale dhe administrative.

Duke u ndalur tek eksportet e mallrave dhe shërbimeve Ibrahimaj tha se ato shënuan rritje me 9,78% në tremujorin e dytë të vitit 2026″.

“Pjesa më e madhe e eksporteve të mallrave dhe shërbimeve lidhet me eksportet e shërbimeve të lidhura kryesisht me eksportet e turizmit. Konkretisht, në gjashtëmujorin e parë të vitit ne kemi pasur një total prej 3,7 miliardë eurosh eksporte, ku eksportet e shërbimeve të lidhura me udhëtarët bëjnë 2,4 miliardë euro, ndërsa totali i eksporteve të mallrave ka vlera më të ulëta”, tha Ibrahimaj.

Për sa i përket importeve, Ibrahimaj tha se ato kanë ardhur gjithashtu me rritje.

“Në tremujorin e dytë të vitit 2026, importet e mallrave dhe të shërbimeve janë rritur me 7,55%. Nëse do të kemi një këndvështrim në fakt të gjithë situatës makroekonomike në vend, të gjithë komponentët kryesorë të analizës kanë pasur një ecuri pozitive, duke filluar nga borxhi, i cili në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2025 është reduktuar me 5 pikë përqindje, nga 54% që ka qenë niveli i borxhit në vit, në tremujorin e dytë të vitit 2025, në tremujorin e dytë të vitit 2026 ai ka arritur në 49%”, nënvizoi Ibrahimaj.

/k.s/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›