Ibraj: Nuk mund të thuash që SPAK është organizatë kriminale, ata janë prokurorët më të mirë

Situata aktuale politike, skandalet dhe protesta e opozitës kanë qenë në qendër të diskutimit këtë të martë në emisionin “Quo Vadis” të moderatores Pranvera Borakaj në Vizion Plus.
Avokati Kujtim Ibraj theksoi se sot nuk mund të flitet për një Shqipëri si Nepali, pasi kemi ish-ministra në burg, gjë që në të shkuarën nuk ka ndodhur.
Ai tha se nuk mund të hidhen akuza mbi SPAK-un, pasi aty punojnë prokurorët më të mirë të vendit.
Pjesë nga biseda:
Ibraj: Jemi në një krizë politike. Mazhoranca është në vështirësi për shkak të korrupsionit. Nëse nuk do të ishte kjo strukturë, asnjë nga këta nuk do të ishte në burg. Sikurse asnjë nga PD-ja dhe asnjë nga LSI-ja nuk ka qenë në burg. Nëse ne flasim për një strukturë ku Dumani është organizatë kriminale dhe Pençi qenka i mirë, kjo nuk shkon.
Borakaj: Kjo nuk do të thotë se të gjithë prokurorët janë të mirë?
Ibraj: Nuk mund të thuash që një prokuror i SPAK-ut është organizatë kriminale. Ata janë trajnuar nga ndërkombëtarët.
Xhixho: Vettingu ka pasur probleme.
Ibraj: Ne nga këta prokurorë pretendojmë që janë më të mirët në Shqipëri.
Xhixho: Jo të pagabueshëm.
Ibraj: Është e vetmja strukturë që sot ka mbështetjen e 80% të shqiptarëve. Nuk mund të dalë Berisha të thotë se SPAK-u është organizatë kriminale dhe Shqipëria është si Nepali.
Xhixho: Po si jemi?
Deda: Jemi shumë më keq.
Ibraj: 13 vjet e ka drejtuar Shqipërinë PD-ja.
Deda: Ka pasur edhe një katërvjeçar më të mirë.
Ibraj: Ka pasur 13 vjet, 1992–1997, kur Berisha ka qenë President.
Xhixho: Ne po flasim tani, kur cënohet siguria kombëtare me AKSHI-n. Krimi është shtet paralel.
Ibraj: AKSHI është qeveria në hije. Belinda me AKSHI-n është zero. Të cënosh sigurinë kombëtare në rastin e AKSHI-t është skandaloze.