E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ide për biznes, të rinjtë e Tropojës i shohin punimet artizanale si mundësi për zhvillimin lokal

Në një nga aktivitetet e shumta që u organizuan në Tropojë me fokus të rinjtë, pjesëmarrësit patën mundësinë të prezantojnë ide kreative dhe punime artizanale të realizuara me dorë.

Në qendër të këtij eventi ishin projektet inovatore të biznesit. Një nga idetë më interesante ishte kthimi i një furgoni të zakonshëm në një dyqan të vogël lëvizës – një model i ri për tregtinë në zona të ndryshme.

“Ideja jonë quhet ‘Crafting Futures’. Kemi një furgon aktual ‘VW’, i cili na është dhuruar bujarisht. Ne duam që këtë furgon ta kthejmë në një ‘gift shop’ lëvizës për të promovuar kulturën tropojane,” thotë nxënësja Kejsi Kataroshi.

Gjithashtu u prezantuan punime të ndryshme me dorë, punime druri, stoli dhe artikuj dhuratash, duke treguar jo vetëm aftësi kreative, por edhe potencial për zhvillimin ekonomik nëpërmjet artit dhe zejes.

“Këtu kemi kafshë dhe kukulla të vogla të ndryshme, të cilat do i punojmë vetë me dorë. Ato janë tërheqëse për fëmijët e vegjël, por edhe për turistët, që preferojnë t’i blejnë dhe t’i mbajnë në shtëpitë e tyre. Ne jemi ende duke u trajnuar për t’i realizuar [punimet me dorë]. Për shkak se jemi në shkolla dhe në angazhime të tjera, kemi punuar gjatë kohës së lirë, ndaj na është dashur rreth 1 muaj [për t’i realizuar],” shprehet nxënësja Eralda Hoxhaj.

Aktiviteti synoi të inkurajojë të rinjtë të mendojnë ndryshe dhe të ndërmarrin hapa konkret drejt sipërmarrjes, duke nxitur zhvillimin lokal përmes ideve të reja. 

Gazetare: Irda Bajraktari

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›