Identifikohet makina e sulmuesve

(E plotësuar) Policia serbe ka identifikuar veturën në të cilën ndodheshin sulmuesit e Qazim Berishës, shoferit të autobusit të kompanisë “Bici Com”, i plagosur mbrëmë nga serbët në Merdare.
Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, ka thënë për Indeksonline se, janë në dijeni se autoritetet serbe e kanë zbuluar veturën e sulmuesve, mirëpo të njëjtit ende nuk janë arrestuar.
Ai tha se, Policia e Kosovës nuk mund të hap rast hetimi për sulmin e ndodhur në territorin e Serbisë, mirëpo është e gatshme t’u ndihmojë autoriteteve serbe për zbardhjen sa më parë të këtij rasti./Indeksonline/
-----
Policia serbe ka konfirmuar se është në dijeni për rastin e sulmit të mbrëmshëm që ka ndodhur në Merdare dhe që ka nisur hetimet për zbulimin e autorëve.
Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, ka deklaruar për Indeksonline se, Policia e Kosovës ka kontaktuar me autoritet e policisë serbe të cilët konfirmojnë se janë në dijeni për rastin dhe janë në kërkim të të dyshuarve.
Indeksonline ka kontaktuar edhe me punëtorët e Agjensionit “Bici Com” me seli në Prishtinë, mirëpo të njëjtit hezitojnë të deklarohen për rastin.
“Vetëm mund të them se të gjithë udhëtarët të cilët janë nisur mbrëmë për në Austri, janë shëndosh e mirë dhe ndodhen rrugës për në Vjenë”, ka thënë përmes telefonit një punëtore e agjencionit “Bici Com”.
Sipas Policisë së Kosovës, të dielën, pak minuta pas orës 22:00, një autobus i cili po qarkullonte në relacionin Kosovë-Austri, ka kaluar kufirin në Merdare dhe rreth 1 km në brendi të territorit të Serbisë është therur me thikë vozitësi i autobusit nga persona të panjohur.
“Viktima është kthyer në Merdare në ora 22 e 20 minuta i cili është transportuar fillimisht në emergjencën në Podujevë e më pastaj për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë”, ka deklaruar Baki Kelani./V.Krasniqi/ Indeksonline/