Për 2 vjet, 300 milionë euro vetëm për vetura

Importi i veturave në Kosovë në vlerë 300 milionë euro për dy vitet e fundit, duke se ka demantuar raportin e kompanisë “Business Insider”, ku Kosova është radhitur në vendin e parë për nga varfëria në Evropë, ndërsa ndër 10 vendet më të varfra të botës.
Sipas Doganave të Kosovës, gjatë vitit të kaluar janë importuar 1175 vetura të reja me vlerë prej 17.2 milionë euro, ndërsa 4.8 milionë euro janë paguar taksa për zhdoganimin e tyre.
Po ashtu vetura deri në 13 vjet të vjetra janë importuar më shumë se 20 mijë e 600 copë me vlerë prej 86.6 milionë euro, për të cilat janë paguar taksa doganore prej 41.1 milionë euro.
“Vitin e kaluar nga zhdoganimi i veturave Doganat e Kosovës kanë grumbulluar rreth 46 milionë euro”, citon “Zëri” zëdhënësin e Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci.
Nga veturat e importuara deri në 13 vjet të vjetra, më së shumti të hyra janë grumbulluar në emër të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), përkatësisht 17 milionë euro, 15.8 milionë euro nga akciza dhe 8.2 milionë euro nga dogana.
Ndërsa në vitin 2011 në Kosovë ishin importuar 1351 vetura të reja, vlera e së cilave ka qenë 19.8 milionë euro, për zhdoganimin e së cilave Doganat kanë grumbulluar 5.3 milionë euro.
Gjatë vitit 2011 janë importuar më pak vetura deri në 13 vjet të vjetra, krahas vitit 2012. Sipas Doganave, në vitin 2011 janë importuar 18 mijë e 700 vetura të këtilla, apo rreth 2000 sosh më pak se në vitin 2012, vlera e së cilave ka qenë 89 milionë euro, ndërsa në emër të taksave të ndryshme janë grumbulluar 37 milionë euro.
Ndryshe, për dy vitet e fundit, vlera e veturave të importuara bashkë me taksat doganore kalon shifrën prej 300 milionë euro.
Edhe në Shqipëri mediet kanë raportuar se gjatë vitit 2011 janë importuar një numër i madh i veturave. Të dhënat statistikore të publikuara nga INSTAT-i tregojnë se në periudhën tetor-dhjetor 2011, në Shqipëri u importuan 19,153 automjete, nga vetëm 3956 automjete që ishin importuar në të njëjtën periudhë të vitit 2010.
Ndryshe, raporti i fundit i publikuar nga uebfaqja amerikane për biznes dhe teknologji “Business Insider” lidhur me varfërinë në botë, e ka nxjerr Kosovën vendin më të varfër në Evropë, ndërsa e ka radhitur në mesin e dhjetë vendeve më të varfra të botës.
Sa i përket renditjes në botë, Afganistani mbetet shumë më i pasur se sa Kosova, ndërsa e fundit për nga varfëria mbetet Zimbabve me numrin më të madh të papunëve. Në Raportin e “Business Insider” përfshihen 197 vende që nga Afganistani në Zimbabve, për hartimin e Indeksit të varfërisë për vitin 2013.
Natyrisht, se vendet që radhiten në ranglistë me Kosovën, nuk mund të ëndërrojnë veturat dhe komodin e Kosovës edhe për disa vite./Indeksonline/