Identifikohet një i dyshuar për shpërthimet në Boston
.jpg)
Një i dyshuar mbi shpërthimet e maratonës së Bostonit është arrestuar ose identifikuar, lajmërojnë mediat amerikane mbrëmjen e së mërkurës.
Për momentin, raportimet janë konfliktuale dhe situata mbetet ende e paqartë.
Rreth orës 20:00, u komunikua identifikimi i të dyshuarit dhe "CNN" tha në 20:30 se ai kishte ndodhur, por pak minuta më pas policia përgënjeshtroi lajmin e arrestimit.
Me situatën në zhvillim, një konferencë për shtyp e orës 22:00 pritet të zbardhë më shumë detaje, përfshirë mbase edhe ato të identitetit e qëllimeve të agresorit.
Në 48 orët që pasuan ngjarjen e rëndë, policia pranoi se e kishte pasur të pamundur të identifikonte një përgjegjës, transmeton TCH.
Megjithatë, situata e hetimeve ka marrë një kthesë të menjëhershme, pasi autoritetet zbuluan një imazh të regjistruar nga një video sigurie e një dyqani përballë vendit të shpërthimit të parë, ku shfaqej një mashkull, i cili hidhte çantën me eksploziv përpara turmës dhe largohej.
Shpërthimet e ndodhur në maratonën e Bostonit i mori jetën një djali 8-vjeçar, një studenteje kineze dhe një gruaje 29-vjeçare.
170 persona mbetën të plagosur e disa prej tyre humbën gjymtyrët e dëmtuara nga shpërthimi./Indeksonline/