Ish ambasadori Dell e ironizon Kosovën me lopë

Ish-ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Christopher Dell, mendon se situata në Kosovë nuk ka ndryshuar. Dell “bindjen” e tij për gjendjen në Kosovë e ka paraqitur nëpërmjet një fotografie që e ka postuar në rrjetin social “Facebook”. Në fotografi shihen dy lopë në një veturë, me kokën jashtë, e që mbi foto është i vendosur një mbishkrim shqip. Ish-ambasadori amerikan postimin e ka titulluar “Kosova e pandryshueshme dhe nuk është duke ndryshuar”.
Fotografia është bërë shkas për përtallje, së bashku me mikun e tij, aktorin kosovar, Blerim Gjoci.
“Fotografia nuk është në Kosovë. Makina është një tip ‘Lada’, që në Kosovë nuk është duke u përdorur që nga vitet e 90-ta”, i ka thënë Gjoci ish-ambasadorit Dell. “Megjithatë, një mbishkrim është i shënuar në fotografi në gjuhën shqipe, haha”, ia kthen Dell. “Lopët mund të jenë shqiptare, por jo makina, shoferi, dhe as vendi”, i thotë Gjoci edhe një herë. Ndërkohë, Dell ia kthen me gaz ironik. “Aha, këto ndoshta janë bagëti serbe, që janë kapur në flagrancë në anën tjetër të kufirit”. /Indeksonline/