E Diel, 1 Nëntor 2026

Idrizi: Iku konsulli, por jo mentaliteti i megaloidhesë

Pas tubimit, në një marshim pa fjalime, pjesëmarrësit në aktivitet zhvilluan një protestë përpara konsullatës greke. Me parullat “jam krenar që jam shqiptar”, “shqiptari mysliman qoftë, ortodhosoks qoftë, katholik qoftë, është gjithmonë shqiptar”, “o sa mirë me qenë shqiptar”, etj, duke kënduar këngë patriotike dhe himnin kombëtar, mbështetësit e PDIU-së në Korçë, kërkuan që të mos përsëriteshin më veprimet antishqiptare nga kjo konsullatë dhe konsulli të mos tentojë të rikthehet.

Më herët, gjatë tubimit të zhvilluar në teatrin “Andon Zako Çajupi”, kryetari i PDIU-së kishte deklaruar se ikja e paparalajmëruar e konsullit nuk kishte hequr mentalitetin grek që kishte sjellë këtë konsull në Shqipëri.

“Duke ardhur për në Korçë, mësova se konsulli ishte larguar, këtë herë përfundimisht. Duke qenë se ka deklaruar largimin edhe herë të tjera, pas presionit të shoqërisë shqiptare dhe tuajën si korçarë patriotë, dua të siguroj se ai nuk do të kthehet sërish dhe se ne do të bëhemi garantë për këtë. Por, mentaliteti që ka sjellë konsullin grek këtu, mentaliteti i megaloidhesë ende nuk ka ikur. Amendamentet tona e kanë frenuar atë, ia kanë hequr mundësinë që të abuzohej me censusin. Tashmë asnjë që është shqiptar nuk mund të deklarohet ndryshe”, tha Idrizi.

Nga Korça, Idrizi vendosi të prezantojë platformën e PDIU-së, duke bërë thirrje për një Rilindje të Re Kombëtare.“Korça, qarku i Korçës, është zona që ju përgjigj më së miri thirrjes së PDIU-së, “jam krenar që jam shqiptar”. Kjo ishte thirrja jonë dhe gjatë fushatës zgjedhore të fundit dhe mijëra korçarë ju bashkuan këtij mesazhi të PDIU-së, një parti e re në pluralizmin shqiptar. Sot Shqipëria, kombi shqiptar kanë nevojë për një Rilindje të re. Dhe Rilindja e re do të duhet të mbështetet pikërisht mbi këto qytete, mbi këto pellgje urbane, që dhe sot janë më të zhvilluara se pjesa tjetër e vendit. Prej këtej do të rrezatohet zhvillimi, ashtu si rrezet e diellit zgjerojnë sipërfaqen e ndikimit të tyre në gjithë njerëzimin me kalimin e ditës”, vijoi ai./Start/

                                                                                             2011-10-22 07:27
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›