E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas amnistisë, “dorë e hekurt” ndaj abuzuesve

Zëvendësministri i Financave, Alfred Rushaj, deklaroi se masat për grumbullimin me forcë të të ardhurave tatimore-doganore, do të jenë të hekurta pas mbylljes së procesit të amnistisë fiskale".

 "Masat për grumbullimin e të ardhurave sidomos ato tatimore, janë shtuar në mënyrë të ndjeshme, për të garantuar edhe një herë që ky ligj amnistie është përfundimtar dhe kushdo që dëshiron të ketë një faqe të re të historisë me administrata, duhet të përfitojë në këtë moment", tha Rushaj.

Zv/ministri iu bëri thirrje biznesit të përfitojnë nga ligji për amnistinë fiskale. Sipas tij, pas 3 muajve të parë ku u vu re një interes jo i madh i biznesit për të përfituar nga ligji për amnistinë fiskale , ky proces tashmë ka hyrë në një fazë të re me flukse në rritje pranë sporteleve tatimore. Individët, sipas Rushajt, janë ata që po shfaqin më tepër interes. "Janë rreth 7 mijë individë, të cilët kanë aplikuar për rivlerësimin e pasurisë", thekson ai. 

Zv/ministri i Financave duke ftuar biznesin të aplikojnë për të përfituar nga ky proces siguroi biznesin se nuk do të ketë ndëshkime apo kontrolle për bizneset që do të deklarojnë kapitalin dhe asetet. "Një numër jo i vogël biznesesh kanë aplikuar dhe janë vetdeklaruar. Ata kanë përfituar atë që ligji u ka njohur dhe ndaj tyre nuk ka patur asnjë lloj kontrolli apo ndëshkimi", theksoi numri dy i ministrisë së Financave".

Në total legalizimi i kapitalit cash apo pasuri e paluajtshme llogaritet rreth 35 miliardë lekë, vlerë kjo e futur në treg. Administrata tatimore ka falur 3.6 milionë lekë dhe biznesi ka arkëtuar 35 milionë lekë. Në administratën doganore deri tani janë falur 10.7 miliardë lekë detyrime doganore që i korrespondojnë një numri prej 1500 biznesesh.

Ndërkohë janë zhdoganuar 1068 automjete, për të cilat është paguar 220 milionë lekë dhe janë falur 220 milionë lekë. Pak ditë më parë komuniteti i biznesit i kërkoi ministrisë së Financave të shtynte afatin e veprimit të ligjit të faljes fiskale me 6 muaj, por zv/ministri Rushaj e ka konsideruar si të panevojshme shtyrjen e afatit kohor pasi sipas tij biznesi ka gjithë kohën e mjaftueshme për të aplikuar për amnistinë fiskal. /Start/

                                                                                             2011-10-22 08:43
   

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›