Idrizi: Të ulemi me opozitën, të miratojmë reformat deri në dhjetor
Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, kërkoi nga partitë politike nisjen e dialogut duke vendosur në radhë të parë interesat e qytetarëve. Duhet të vendosni interesat e vendit mbi interesat partiake. Negociatat janë thelbi i politikës, dhe jo konfliktualiteti i ashpër. Integrimi europian i vendit është gjithashtu një objektiv strategjik, është një interes kombëtar dhe ngadalësimi apo prapësimi i ritmeve të tij është një cenim i këtij interesi, tha Idrizi në një konferencë për shtyp. Në emër të forcës që drejton, kryetari Shpëtim Idrizi shprehu besimin se në rast të nisjes së dialogut politik dhe plotësimin e 12 kritereve të BE-së, Shqipëria mund të ketë një tjetër shans në dhjetor. Ne u bëjmë thirrje forcave politike kryesore që deri në dhjetor, në emër të kombit, në emër të interesave të mëdha të tij, të ulemi e të miratojmë një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, të plotësojmë institucionet e larta të Gjyqësorit me anëtarë dhe të nisim seriozisht të mendojmë për tu përballur me rekomandimet e tjera të progres-raportit, theksoi kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi. Sipas tij, progres-raporti i Komisionit Europian është fotografia më profesionale e zhvillimeve tona të brendshme. Kryetari i PDIU-së deklaroi se bojkoti i opozitës në Parlament ka bllokuar statusin për në BE. Për këtë shkak ne mendojmë se më shumë sesa vlerësimi i dobët i një mësuesi për nxënësin e vet, progres-raporti është një diagnozë mjekësore e sëmundjeve tona të brendshme politike. Është e pafalshme, pra, që klasa jonë politike nuk po e arrin objektivin e integrimit për shkak të mungesës së një detante politike pozitë-opozitë dhe mungesës së dialogut dhe për shkak të bojkotit, u shpreh Idrizi.