Igumenicë, arrestohet shqiptari me 51.5 kg hashash

Sërish drogë nga Shqipëria në Greqi. Rasti më i fundit është evidentuar mbrëmjen e së hënës, në afërsi të kufirit shqiptaro-grek që lidh Konispolin e Igumencën. Pikërisht në vendin e quajtur Kocika, nga seksioni i luftës kundër lëndëve narkotike të Igumenicës, në bashkëpunim me policinë kufitare të Filatit, është kapur një shtetas shqiptar, 24 vjeç, i cili transportonte lëndë narkotike në brendësi të shtetit helen. Kapja e tij është bërë pas informacioneve të grumbulluara në rrugë operative nga policia greke.
24-vjeçari shqiptar, i cili ishte nisur nga toka shqiptare, është kapur duke transportuar në këmbë, dy çanta të zeza, brenda të cilave ndodhej një sasi prej 51 kg e 520 gram, lëndë narkotike "cannabis sattiva".
Nga grupi hetimor janë identifikuar edhe dy shqiptarë të tjerë, të cilët kanë ndihmuar në transportimin e drogës. Ata janë shpallur në kërkim ndërkombëtar. Gjatë 8 muajve të fundit, nga policia e Igumenicës dhe Korfuzit janë kapur rreth 1.6 ton hashash që dyshohet se e ka prejardhjen nga Shqipëria e pikërisht nga kufiri i gjelbër dhe detar që lidh Sarandën me qytetet porte të Greqisë.