E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ikën Byrd, senatori 92-vjeçar që kundërshtoi Irakun

Lamtumira Ishte mbështetës i zjarrtë i Obamës

Senatori që ka shërbyer për kohën më të gjatë në historinë e SHBA-së në Senatin Amerikan, ka ndërruar jetë në moshën 92-vjeçare. Senatori demokrat, Robert Byrd, me ikjen e tij mund t’i krijojë probleme Presidenti amerikan, Obama për sa i përket përpjekjes së tij për të reformuar sistemin financiar amerikan. Për të kaluar këtë reformë ai ka nevojë për të gjitha votat e demokratëve. Senatori Byrd që ka qenë në një detyrë të tillë për 50 vjet rresht është dërguar me urgjencë në spital një javë më parë. Kushtet e tij janë përkeqësuar shumë dhe 92-vjeçari ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit në një spital të Virxhinias. Pa praninë e senatorit Byrd demokratët e senatit mund ta kenë të vështirë që të miratojnë versionin përfundimtar të ligjit për reformën financiare në Shtetet e Bashkuara, që pritet të ndodhë javën e ardhshme.

Gjatë debateve të fundit në lidhje me reformën për kujdesin shëndetësor një vit më parë, Byrd shkoi për të hedhur votën e tij edhe pse ishte në një karrige me rrota. Dhe dihet se sa e rëndësishme ishte kjo votë për demokratët dhe sa të vështirë e patën ata pas vdekjes së një tjetër senatori, senatorit Kenedi, vendi i të cilit u zu nga një republikan. Byrd ka kaluar më shumë se një muaj në spital gjatë këtij viti me një infeksion duke shtuar spekulimet në lidhje me personin që do ta zëvendësojë nëse do të ishte e pamundur për të që të përfundonte mandatin. Gjatë karrierës së tij si senator, ai ka hedhur mbi 18 000 vota dhe ka qenë një mjeshtër i vërtetë i rregullave të Senatit. Ai ka qenë për disa herë rresht kryetar i Komitetit të Senatit për Buxhetin që kontrollon një të tretën e buxhetit federal. Gjatë krizës ekonomike të vitit 2008 Byrd hoqi dorë nga ai pozicion nga frika që kishte se nuk mund të vazhdonte më ta mbante atë post për shkak të situatës shëndetësore. Byrd ka qenë pjesë e Kongresit që nga 3 janari i vitit 1953. Nëntorin që shkoi ai theu rekordin e qëndrimit më të gjatë në Senat që më parë mbahej nga një demokrat i Arizonës.

Byrd ka qenë një nga mbështetësit më të zjarrtë të senatorit Obama në përpjekjen e tij për t’u bërë President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai ka qenë një nga kundërshtarët më të zjarrtë të luftës në Irak dhe një nga njerëzit që e deklaroi disa herë se nuk mund ta toleronte dot më administratën e Bushit e cila, sipas tij, “e kishte sulmuar dhe goditur keqas Kushtetutën amerikane, një kopje të së cilës senatori e mbante gjithmonë në xhepin e xhaketës. Për Bushin dhe regjimin e tij ka thënë: “Liritë që shprehen në Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara janë shkelur nga një President që e konsideron veten mbi ligjin, një presidencë që ndjek e verbër luftën për pushtet, një presidencë që mbështet në fshehtësinë dhe manipulimin”.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›