Shtatë konkurrentë për Ardhje 2010
Ledia Kostandini, Theodoraq Napoloni, Dritan Hyska, Fani Zguro, Alketa Ramaj, Enkelejd Zonja dhe Albert Brahaj janë shtatë artistët e përzgjedhur për finalen e madhe të çmimit për artin bashkëkohor “Ardhje 2010”. Aktiviteti, i cili do të mbahet më 30 qershor, vjen pas një procesi përzgjedhës, i cili ka filluar në muajin prill. Grupi përzgjedhës nën drejtimin e Zef Pacit dhe me ndihmën e Valentina Koças dhe Tina Finnas, ka vendosur që do të jenë këta shtatë artistë konkurrentët për të fituar rezidencën artistike në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ekspozita e finales së madhe të çmimit “Ardhje” do të mbahet njëkohësisht pranë mjediseve të qendrës tregtare “Hekla Center” si dhe te galeria “Zeta”. Në të do të shfaqen një numër i përzgjedhur punimesh dhe projektesh nga artistët finalistë nën kurimin e Zef Pacit. Ashtu si dhe vitet e mëparshme, veprat e shtatë artistëve të rinj në këtë edicion të katërt shfaqin disa prirje për të vështruar aktualitetin dinamik shqiptar, duke u përballur edhe me atë që vjen nga e kaluara. Kjo gjë kërkon të nxisë një qëndrim aktiv e kritik e pjesëmarrës në situatat bashkëkohore. Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës së Grand Finales, do të shpallet edhe fituesi i çmimit “Ardhje 2010” i cili do të përzgjidhet nga një juri ndërkombëtare, e përbërë nga Cecilia Canziani, kuratore dhe shkrimtare, drejtoreshë e fondacionit “Noma”, Romë; Erzen Shkololli, artist dhe kurator, organizator dhe drejtues i hapësirës ekspozuese EXIT në Pejë; Sadik Spahija, skulptor dhe dekan i Fakultetit të Arteve Pamore pranë Akademisë së Arteve, Tiranë. çmimi për artin bashkëkohor, “Ardhje”, çdo vit sjell në vëmendje përzgjedhjen më të mirë të krijimtarisë së artistëve të rinj shqiptarë. Kjo veprimtari kërkon të informojë, dokumentojë e përhapë këtë përzgjedhje me vlerë të artistëve të rinj në artet pamore. Kjo veprimtari është krijuar qysh në vitin 2007 nga TICA – Instituti i Artit Bashkëkohor në bashkëpunim me FCS – Fondacionin për Shoqëri Civile në Nju Jork. Fituesi i këtij çmimi do të qëndrojë për gjashtë javë në Nju Jork me qëllim nxitjen e krijimtarisë së lirë artistike dhe krijimin e kushteve më të mira për ekspozim, prodhim punësh dhe vendosje kontaktesh me profesionistë nga bota.
#