Ikën Lika, Luçi merr timonin e VllaznisëLika bëhet kështu trajneri i katërt i Superligës qe le bankinen pas vetem pese jave kampionat

Publikoje ne:
Hasan Lika shkarkohet si trajner i Vllaznisë nga presidenti Valter Fushaj. Pasuesi i tij në “Loro Boriçi” pritet të jetë Roland Luçi. Parimisht me Luçin është rënë dakord dhe nesër ai mbërrin në Shkodër nga Austria, ku jeton me familjen prej vitesh. Luçi, një ish-lojtari i njohur i Vllaznisë, do të debutojë në krye të skuadrës në javën e 6-të në Vlorë, ku do të luhet derbi i “vdekjes klinike”: Flamurtari-Vllaznia, dy ekipe që ndajnë midis tyre dy vendet e fundit.
Presidenti Fushaj vendosi ta largojë Likën për mungesë rezultatesh, pikërisht vetëm katër muaj pasi e emëroi në krye të kuqebluve, saktësisht, më 8 qershor të këtij viti. Vllaznia pësoi humbjen e tretë në pesë takime, vetëm katër pikë të grumbulluara nga 15 të mundshmet, vendi i parafundit, por më detaji më problematik është mungesa e golit: 1 në pesë ndeshje. Sipas klubit shkodran, Lika është larguar me mirëkuptim, teksa është arritur edhe një marrëveshje për rregullimin nga ana financiare të kontratës.
Sezonin e kaluar, Lika dha dorëheqjen nga Partizani, pikërisht në javën e 7-të (24 tetor 2008), ndërkohë që si ish-trajneri i Besës në sezonin 2005-2006 e dha atë pas javës së 4-t. Lika bëhet kështu trajneri i katërt i Superligës që shkarkohet apo jep dorëheqjen gjatë pesë javëve të para të këtij sezoni, duke futur në këtë listë Gugash Maganin (Shkumbini), Eqerem Memushin (Flamurtari) dhe Ilir Qirjakon (Gramozi).
Sezoni i kaluar (2008-2009) ishte një “vals” i vërtetë i bankinave, ku vetëm një skuadër (Teuta) nuk e ndryshoi trajnerin (Sulejman Starova), ndërsa në stolin e 11 skuadrave të tjera u ulën plot 30 trajnerë. Madje u vendos edhe një rekord tipik shqiptar, 4 trajnerë drejtuan gjatë kampionatit të kaluar skuadrat e Lushnjës dhe të Bylisit gjatë 33 javëve.
SUPERLIGA 2009-2010
LËVIZJET E TRAJNERËVE
Shkumbini: Gugash Magani (nga java 1-2). Kristaq Mile (nga java e 3-te)
Flamurtari: Eqerem Memushi (nga java 1-4). Gugash Magani (nga java e 5-të)
Gramozi: Ilir Qirjako (nga java 1-5). Agim Canaj (nga java e 6-të).
Vllaznia: Hasan Lika (nga java 1-5). Roland Luçi (nga java e 6-të)
E Marte, 29 Shtator 2009