Kush thotë se në Shqipëri nuk ka pasur genocid?
Fjalorët enciklopedikë na japin këtë përkufizim të genocidit: shkatërrim metodik, i plotë ose i pjesshëm, i grupeve etnike, kombëtare, ideologjike, fetare, raciale.
Dogma marksiste që në fillim shkroi në flamurin e saj: “Partia komuniste nuk e ndan pushtetin me parti të tjera”. Shkurt, kush nuk nënshtrohet, kush do të rezistojë, do të shkatërrohet!
Në emër të internacionalizmit, mpirje të ndjenjave etnike, kombëtare. Pas Luftës së Dytë Botërore, Jugosllavia e Titos pati disa pretendime territoriale ndaj Italisë, sepse atje banonin sllavë. Shqiptarët duhej të solidarizoheshin me këtë kërkesë të Titos, në emër të internacionalizmit. Kur një burrë i mençur në mbledhjen e “kolektivit” të kryeministrisë shtroi pyetjen se a nuk duhej edhe ne të kërkonim Kosovën, që është Shqipëri dhe e banuar nga shqiptarët? Tmerr në mbledhje! Ky njeri qenka kundër internacionalizmit! Dhe atij ia shpjeguan se ku qëndronte gabimi i tij i rëndë ideologjik, por, për çdo eventualitet, një shënim e mbajtën diku, një shënim për të cilin ai do të përgjigjej më vonë...
Në emër të proletariatit të papronë, luftë kundër pronës private! Asnjë të mos ketë pronë. Vetëm shteti! Se vetëm kështu të gjithë do të detyrohen të rrinë “sus” përpara shtetit, përpara diktaturës, që ka në dorë bukën e gojës! Bukën e cullufëve, jetën e tyre!
Në emër të ideologjisë marksiste – leniniste, luftë kundër çdo mendimi, që ndryshonte qoftë edhe një presje nga marksizmi, luftë kundër fesë, të shkatërrohen kisha e xhamija. Populli duhet të ketë vetëm një fe: marksizmin. Vetëm një libër të shenjtë: veprat e shokut Enver. Vetëm një profet: Enver Hoxhën.
Shkurt: diktatura e proletariatit ishte diktatura e partisë në fuqi. Diktatura e partisë ishte diktaturë e diktatorit, i cili veproi sipas shprehjes së një francezi të madh, i cili ka thënë se çdo revolucion, pasi mbaron punë me armiqtë, fillon të hajë bijtë e vet. Dhe i hëngri...