E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ikën për diskotekë

Sulmuesi i ri i Milanit, M’baye Niang së bashku me disa reprezentues të tjerë të ekipit U-21 të Francës kanë ikur nga kampi stërvitor i dhe me një taksi kanë shkuar për tu argëtuar në diskotekë. U zbuluan nëpërmjet disa fotografive të publikuara në rrjetin social Facebook. Tani, do ti nënshtrohen procedurës disiplinore nga Federata franceze.

Ende nuk ka mbushur 18 vjet, por M’baye Niang dhe shokët e tij duhet t’i mësojnë mirë rregullat, e sidomos ato të qenit anëtar i një skuadre dhe përfaqësueseje të një shteti të madh evropian.

Sulmuesi i ri i Milanit dhe ekipit U-21 të Francës ka shkaktuar një skandal të ri pas atij të shtatorit të vitit të kaluar kur u ndal nga policia duke vozitur pa patentë. Kësaj radhe bëri një gabim të ri, por në detyrë ndërkombëtare me ekipin U-21 të Francës.

I ftuar për tu paraqitur në dy ndeshjet e play-offit në kuadër të kualifikimeve për Euro 2013 ku Franca u mund nga Norvegjia pas humbjes 5-3 në takimin e kthimit që anuloi epërsinë 1-0 nga dueli i parë, Niang dhe disa bashkëlojtar të tij të shtunën mbrëma kanë braktisur kampin përgatitor të ekipit në Le Havre dhe me ndihmën e një taksi kanë shkuar në një diskotekë në sheshin Champs-Elysees, duke u rikthyer në kamp në orën e hershme të mëngjesit.

Edhe pse mediet franceze kanë raportuar se asnjë anëtar i stafit teknik të ekipit nuk vërejti mungesën e tyre, ata u ‘zunë’ nga disa fotografi të publikuara në rrjetin social Facebook. Niang, Yann M’Vila, Antoine Griezmann, Chris Mavinga dhe Wissam Ben Yedder janë ftuar në takim nga selektori Eric Mombaerts dhe do të jenë nën procedurë disiplinore nga Federata franceze e Futbollit (FFF) për “sjelljen e tyre”. Lajmi është konfirmuar nga Parisi.

Më së shumti thuhet se rrezikon M’Vila i cili edhe ashtu ishte nën paralajmërim pasi disa muaj më parë refuzoi ti jap dorën ish selektorit të skuadrës së parë, Laurent Blanc pas zëvendësimit në takimin me Spanjën, të vlefshme për çerekfinale të Euro 2012. M’Vila është anëtar i Rennesit.

Kurse Niang, para fillimit të sezonit 2012-13 ishte provuar te klubet angleze Arsenal, Everton dhe Tottenham. Por, më 27 gusht 2012 u konfirmuan bisedimet e tij me Milanin, derisa të nesërmen u zyrtarizua transferimi i tij në San Siro në kontratë trevjeçare por pa u bërë të ditura detajet financiare të marrëveshjes.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›