Ikin nga shtëpitë, bëhen prostituta

DAD llogarit se rreth 450.000 vajza ikin nga shtëpitë e tyre çdo vit, dhe se një të tretës së tyre u afrohen padronë prostitutash brenda 48 orëve pasi që ato braktisin shtëpitë e tyre.
Në moshën 14-vjeçare, Ann ka ikur nga shtëpia. Ajo jetonte me tezen dhe me dajën e saj në Bronksin Jugor, në një situatë të papërballueshme, sipas saj, meqë përdhunohej shpesh nga kushëriri i saj. Me pak opsione në rrugë, Ann ka pranuar një ofertë për banim nga një burrë që ajo kishte nisur ta shikonte si të dashur. Mendimi i saj për të do të ndryshonte nga çdo rrahje që ai ushtronte ndaj saj, dhe nga aktivitetet e shumta seksuale me pagesë që ajo i kryente për të.
Ai e dërgonte atë në rrugën “Manida”, një zonë në lagjen “Hunts Point” të Bronksit, e cila është e njohur për prostitucion. “Shkoja atje dhe më pas i jepja atij paratë”, ka thënë Ann, e cila tani është 25-vjeçare, dhe, duke iu frikuar ndonjë hakmarrjeje, ka folur me kushtin që të identifikohej vetëm me emrin e saj të mesëm. “Dhe, ai më rrihte”, ka treguar ajo për përvojën e saj të rëndë.
Megjithatë, përvoja e saj nuk është e pazakontë, sipas “The New York Times”. Departamenti amerikan i Drejtësisë llogarit se rreth 450.000 vajza ikin nga shtëpitë e tyre çdo vit, dhe se një të tretës së tyre u afrohen padronë prostitutash brenda 48 orëve pasi që ato braktisin shtëpitë e tyre.
Gjendja mund të jetë veçanërisht e rëndë në qytetin e Nju-Jorkut, ku ndodhen rreth 3.800 fëmijë të pastrehë, por vetëm 250 shtretër për të rinj në strehët e financuara nga qyteti. Në qershorin e këtij viti, Këshilli i Qytetit ka diskutuar për mundësinë e ndarjes së fondeve më të mëdha për shërbime për të rinjtë e ikur dhe të pastrehë, por Këshilli në fund ka vendosur kundër kërkesës.
Paratë e ndara nga shteti që kanalizohen në buxhetin për shtretër dhe për shërbime për fëmijët e ikur dhe të pastrehë janë reduktuar përgjysmë që nga viti 2008, në rreth 745.000 dollarë tani.
Një hulumtim i përbashkët, i publikuar në maj nga agjencia private “Covenant House” dhe nga universiteti “Fordham”, për të cilin janë intervistuar 200 vajza të reja të ikura dhe të pastreha në qytetin e Nju-Jorkut gjatë vitit të kaluar, ka zbuluar se gati një në katër të anketuara kanë qenë viktima të trafikimit apo kanë shkëmbyer seksin për nevoja elementare, si ushqimi apo strehimi.
Nga këto të anketuara, thuajse gjysma kanë raportuar të kenë vepruar kështu nga mungesa e një vendi të sigurt për fjetje. Përvojat duken shumë, shumë të ngjashme. Tmerrësisht të ngjashme”, është shprehur Rachel Lloyd, themeluese dhe shefe ekzekutive e “GEMS”, një organizatë e cila ofron shërbime të ndryshme për të rejat në qytet, që ngatërrohen në trafikim apo keqpërdoren, transmeton Tribuna. “Thonë ‘Kam ikur, kam fjetur në trena për dy ditë, kam takuar një tip. Ai është sjellë mirë me mua dhe më ka thënë se do të kujdesej për mua’”, ka shpjeguar znj. Lloyd, e cila dikur ka qenë vetë prostitutë. “Më pas, gjahtarët e rritur i shfrytëzojnë ato, shumë shpejt”, ka treguar ajo./Indeksonline/