E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ikja e ‘djaloshit më të mirë në botë’

Anëtari i trios Bee Gees, Robin Gibb (62), vdiq të dielën, pas një beteje të gjatë me kancerin, njoftoi zëdhënësi i muzicientit të hënën. Dy vite më parë, Gibb luftoi me kancerin në zorrë të trashë dhe mëlçi dhe, përkundër “një përparimi spektakolare”, siç thoshte ai, si pasojë e komplikimit të shkaktuar nga pneumonia, u shfaq një tumor tjetër.

Robin Gibb dhe vëllai i tij binjak, Maurice, u lindën në Manchester (Angli), më 1949 (Maurice vdiq në vitin 2003, si pasojë e komplikimit të sëmundjes së zorrëve). Vëllai më i ri i familjes Gibb, Andy, i cili asnjëherë nuk bëri muzikë me grupin Bee Gess, vdiq në vitin 1988. Ishte vetëm 30-vjeçar.

Sido që të jetë, ishin Robin, Maurice dhe vëllai i tyre i madh, Barry, ata që e formuan grupin Bee Gees, në Australi, ku si familje ishin shpërngulur më 1958. Por, grupi u bë i njohur botërisht tek pas rikthimit në Angli dhe nënshkrimit të kontratës me menaxherin Robert Stigwood. Zëri drithërues dhe prekës i Robin ishte pjesë e disa prej hiteve më të njohura të grupit, si "New York Mining Disaster 1941", "I Started a Joke", "Massachusetts", "I've Gotta Get a Message to You", etj.

Menjëherë pas daljes në treg të hiteve të reja, radio-stacionet, e në veçanti Radio Luxembourg, që dikur ishte tejet i dëgjuar, emitonin pa ndalë muzikën e grupit Bee Gees. Si rrjedhojë, brenda një periudhe të shkurtër grupi i shndërrua në ‘kërcënimin kryesor të The Beatles. Bee Gees ishin të popullarizuar për mediat, sepse, për dallim nga Rolling Stones, për shembull, ata gëzonin një imazh të “djelmoshave të mirë”, që mbaheshin anash sa i përket konsumimit të drogave. E, vetë Robin Gibb, në vitin 1968 shpallet për ‘djaloshin më të mirë në botë’.

Pas fillimit të rënies graduale të shitjes së pllakave, vëllezërit Gibb ndahen si grup në vitin 1969, edhe pse këngët e tyre vazhdojnë të dëgjohen...

Vitet e tetëdhjeta

Grupi kthehet në skenë në vitin 1977, me muzikën e kult-filmit “Ethet e të Shtunës Mbrëma” (Saturday Night Fever), me John Travolta dhe Olivia Newton John në rolet kryesore. Po atë vit, kënga nga ky film, “How Deep is Your Love” u nominua për lëminin Golden Globe.

Bee Gees u pranuan në alenë legjendare ‘Rock and Roll Hall of Fame’ falë këngëve “How Deep is Your Love?’ dhe disko hitit “Stayin’ Alive” me të cilën fituan shtatë Granmy Awards. Ishte ky një rikthim i mrekullueshëm i të çregjistruarve, të cilët arritën të shesin mbi 200 milionë albume. ZParalelisht, anëtarët e grupit shkruanin këngë edhe për yje, si Diana Ross, Barbara Staisand, Dolly Parton...

Rekuiemi për ‘Titanic’

Më vonë, Robin Gibb filloi të shkruaj edhe muzikë klasike. Bashkë me djalin e tij, Robin-John publikoi këngën “rekuiem për Titanic”, me rastin e 100-vjetorit të fundosjes së anijes së famshme.

Sivjet, Robin Gibb, bashkë me vëllanë e tij Barry, vazhdoi të kompozonte muzikë pop.

“Nganjëherë e pyes veten nëse të gjitha këto tragjedi që i pësoi familja ime - sepse Andy dhe Maurice u desh të iknin aq të rij nga kjo jetë – si dhe e gjithë kjo që viteve të fundit po më ndodh mua, është njëlloj çmimi që është dashur të paguajmë për gjithë atë famë dhe fat që kemi pasur”, deklaroi Robin Gibb për gazetën britanike ‘The Sun’, në mars të këtij viti.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›