Ngushëllon edhe Rona Nishliu

“Ndjehem thellë e prekur dhe bashkë ndiej me shpirt dhe zemër dhembjen e madhe të familjarëve, të cilët humbën tragjikisht në Himarë më të dashurit e tyre! Loti, pikëllimi, ngushëllimi dhe zemra ime sonte janë pranë tyre. Paqja e Zotit qoftë me ju!”, shkruan këngëtarja Nishliu në murin e facebook-ut të saj.
Ngushëllimet e Nishliut, adresohen nga Baku i Azerbajxhanit, ku ajo të martën do të marrë pjesë si përfaqësuese e Shqipërisë në “Eurosong”.
RTSH nuk e transmeton natën e parë të Eurosong'ut
Radio Televizioni Shqiptar nuk do të transmetojë direkt natën e parë të Festivalit Evropian, që zhvillohet sonte në orën 21.00 në Baku të Azerbajxhanit.
“Në respekt të ditës së zisë, të shpallur nga Qeveria shqiptare, në zbatim të ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë njoftojmë teleshikuesit shqiptarë se nata e parë e Festivalit Evropian, ku konkurron përfaqësuesja e Shqipërisë, Rona Nishliu, do të transmetohet e regjistruar në orën 00.05 të datës 23 maj”, thuhet në njoftimin e RTSH'së.