E Shtunë, 31 Tetor 2026

Homazh triumfues

Nga Parisi u kthye me një çmim për filmin më të mirë të shkurtër artistik. Arriti ta fusë artistin e njohur figurativ Omer Kaleshi edhe në botën e aktrimit. Thotë se nuk do të ndalet me kaq. Filmi i tij i radhës do të jetë i metrazhit të gjatë dhe në të ndoshta do të luajë aktori i njohur italian Roberto Benigni. Orhan Kerkezi, njëri prej autorëve të filmit ‘Homazh për Charlie Chaplin’, flet për Express.

Iu desh të presë tetë muaj për ta marrë konfirmimin e artistit të njohur figurativ Omer Kaleshi për të luajtur në filmin e shkurtër artistik që i dedikohet legjendës së filmit pa zë Charlie Chaplin. Mirëpo, duket se pritja ia ka vlejtur. Në festivalin e parë që mori pjesë, filmi ‘Homazh për Charlie Chaplin’ i Orhan Kerkezit dhe Adem Rusinovcit u shpërblye si filmi më i mirë i shkurtër artistik. Në festivalin “South East European Film Festival” që u mbajt para pak ditësh në Paris, filmi i bashkautorëve kosovarë jo vetëm që u dha premierë por arriti edhe të shpërblehet.

“Çmimi ka vlerë të madhe jo vetëm për ne si kineastë por ua hapë dyert edhe kineastëve të tjerë të Kosovës të fitojnë. Për neve qëllimi primar ka qenë që premierën ta japim në Paris. Ne kemi hyrë pas përfundimit të afatit për aplikim në atë festival.

Një karakteristikë ka qenë se kur e ka parë selektori draftin e filmit si dhe filmin përfundimtar ka qenë shumë i entuziazmuar së pari për faktin e idesë për Charlie Chaplinin pastaj edhe për realizimin e filmit”, u shpreh për Express Orhan Kerkezi, njëri prej autorëve të filmit.

Ajo që i ka bërë të ndihen krenarë dy autorët e filmit është fakti se filmi i tyre e ka hapur festivalin në Paris.

Kerkezi theksoi se ky është filmi i parë pas vdekjes së Chaplinit që është bërë për Chaplinin. Ai tha se filmi është pritur shumë mirë në Paris.

“Në festival e kam parë që gjysma e njerëzve kanë qenë aty si kineastë por ma merr mendja se gjysma tjetër kanë ardhur për shkak të kureshtjes për titullin e filmit ‘Homazh për Charlie Chaplinin’”, tha Kerkezi.

Ai tregoi se pse e kanë përzgjedhur artistin Omer Kaleshi për të luajtur në rolin e Charlie Chaplinit.

“Struktura e tij në fytyrë, niveli i arritjeve të tij ndërkombëtare dhe prejardhja e tij shqiptare na kanë nxit që të merremi me të dhe nuk kishim ndonjë tetëdhjetëvjeçar në Kosovë që të luante në film edhepse Omeri herën e parë nuk ka pranuar. Është një njeri që është i izoluar, nuk ka televizor, nuk lexon gazeta dhe ai nuk ka pranuar derisa e ka kuptuar se për çka është filmi, kush është Charlie Chaplin. Shikimi i tij ka qenë i bardhë mbi informatën time. Por pastaj në realizim të filmit ka qenë shumë i mirë. Ka pas emocion. Për këtë arsye edhe është mirëpritur. I kanë duartrokitur aq sa ka zgjatë edhe filmi”, tha Kerkezi.

Ideja e autorëve lidhet shumë me Omer Kaleshin. Charlie Chaplin ka bërë filma pa zë, ndërsa Omer Kaleshi ka pikturuar koka pa veshë. Kerkezi tha se është një alkimi mes këtyre dy gjerave. Sipas tij, kjo edhe ka qenë një prej arsyeve kryesore që Omeri të luajë në film.

Për ta realizuar këtë film ata nuk i janë drejtuar askujt për ndihmë.

“Filmin e kemi financuar ne si bashkautorë. Nuk e kemi lutur askënd për të na ndihmuar. Një film i mirë mund të bëhet edhe me 250 mijë euro por mund të bëhet edhe me 250 euro”, tha ai.

Filmi zgjat dhjetë minuta dhe është bardh e zi, ashtu siç janë edhe filmat e Charlie Chaplinit. Por në të ka edhe muzikë. Kerkezi tregoi se janë në proces të aplikimit nëpër festivale të ndryshme europiane. Targeti i tyre është Berlinale. Në bazë të njerëzve që e kanë parë filmin, Kerkezi beson që ky film mund të pijë shumë ujë nëpër botë.

Premierën vendore do ta ketë në Prishtinë një vit pas premierës që e ka pasur në Paris.

Kerkezi u shpreh se pa dialog është vështirë të bëhet filmi.

“Zakonisht filmin e karakterizon dialogu. Mirëpo, ne kemi arritur që filmi të kuptohet nga publiku shumë mirë, sidomos publiku në Francë e ka kuptuar shumë mirë”, tha ai.

Ndokush mund të mendojë se për ta bërë këtë film autorët janë ndikuar nga suksesi që arriti filmi ‘The Artist’ në skenën ndërkombëtare, por Kerkezi tha se ende nuk e ka parë këtë film.

“Nuk e kam parë filmin ‘The Artist’, mirëpo e kam parë trajlerin. Nuk ka ndikuar pasi që ideja jonë ka qenë para se të shfaqet ‘Artisti’. Ne e kemi filluar vjet dhe kemi pritur tetë muaj. Ne kemi pritur derisa Omeri ka thënë po dhe kur ai ka pranuar filmi në njëfarë mënyrë është kryer”, tha ai.

Duke folur për projektin e radhës, Kerkezi tregoi se është një film i gjatë që ka të bëjë me Kosovën. Ai shtoi se do të jetë një film i kapshëm jo vetëm për publikun tonë por edhe për atë të huaj.

“Është një film i gjatë që do të jetë për tokë, jo i mbushur me metafora. Draftskenari është bërë. Është një produksion danez i interesuar për ta financuar filmin. Por natyrisht se do të presim edhe prej Qendrës Kinematografikë të na ndihmojë. Askush nuk financon nëse nuk financon vendi yt”, tha ai.

Filmi nuk ka të bëjë direkt me luftën, por në të shihen sekuencat e luftës. Ai tregoi se personazhi kryesor nuk është i përfshirë në luftë. Është një ide që i karakterizon zakonisht filmat më modern, jo ata klasik.

“‘Homazh për Charlie Chaplin’ është film klasik, ndërsa ky film do të jetë modern dhe besoj se në njërin prej roleve kryesore, sipas bashkëproducentëve danezë, do të luajë Roberto Benigni”, tregoi Kerkezi. Ai bëri të ditur edhe për një aktore të njohur që do të luajë në këtë film.

“Në Paris jam takuar me aktoren iraniane që jeton në Paris, Golshifteh Farahani, dhe ajo ka pranuar të luajë në film”, tha ai. Kerkezi është i bindur se edhe aktori italian Roberto Benigni do të pranojë të luajë në këtë film.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›