E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ikja e kapitaleve njerëzore

Në një intervistë para dy vjetësh ish-kryeministri, Agim Çeku, shprehej se një nga themelet e prosperitetit në Kosovë ishte dhe popullsia e re e Kosovës. “Jemi një nga popujt më të rinj në Evropë”, - krenohej ai, “dhe ky krah pune do të ndërtojë shtetin e ri të Kosovës!” Entuziazmi i atëhershëm i Agim Çekut na shtyn sot, në 2008, të shtrojmë pyetjen, nëse ka ndonjë platformë, apo ndonjë mekanizëm që t’i inkuadrojë të rinjtë e Kosovës brenda dhe jashtë vendit. Në të kundërt, duhet të mendojmë se Kosova do të mjaftohet me ata, të cilët kanë qenë për vite me radhë “garda intelektuale dhe politike”, e cila do të mbrojë me fanatizëm pushtetin e radhës!

Fushata e “thithjes së trurit”

Para disa javësh qeveria e Kosovës lançoi fushatën kombëtare “brain-gain”, me qëllim që të tërheqë diasporën dhe profesionalistët kosovarë që jetojnë jashtë të marrin pjesë në zhvillimin e vendit. Diaspora kosovare paraqet 17 për qind të të gjithë popullatës së Kosovës dhe përfaqëson pjesën më të rëndësishme të GDP së saj. Ministri i Arsimit, i cili ka marrë dhe mandatin për këtë iniciativë, dukej i vendosur që të inkurajonte të diplomuarit kosovarë nëpër botë që të marrin pjesë në procesin e shtet-ndërtimit të Kosovës. Është e vërtetë që, nëse një fushata e “thithjes së trurit” do të ishte e suksesshme, ajo do të ndihmonte në tejkalimin e një situate të vështirë socio-ekonomike dhe do të përmirësonte standardet e ulëta të jetesës, të cilat janë disa nga arsyet kryesore që pjesa më e madhe e qytetarëve të diplomuar kosovarë të largohen. Ideja kryesore e kësaj fushate është që t’iu ofrohen kandidatëve kushte më të mira pune dhe kështu ata do të jenë të motivuar për të marrë pjesë në zhvillimin e vendit. Një pjesë e madhe e diasporës kosovare jeton në Evropën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Detyra që ministria i ka vënë vetes është ajo i tërheqjes së emigrantëve me kualifikime të larta akademike.

Të rinjtë e diplomuar: “aorta kosovare”

“Brain drain” (shterpja e trurit) ose e thënë shqip “ikja e kapitaleve humane” ka ndodhur në Kosovë, si dhe në vende të tjera për shkak të konflikteve, në rastin e konkret pushtimi dhe më pas lufta e Kosovës. Përveç kësaj, pamundësia e të paturit një mundësi për të gjetur punë, arsye shëndetësore ose arsye të tjera familjare kanë përbërë motivimet e tjera të rëndësishme të popullsisë për t’u larguar nga Kosova. Kjo “ikje e kapitalit” përfaqëson një humbje të tij, për shkak se ai është krijuar në vend. Ka dy raste, me të cilat fenomeni na përball, i pari është rasti standard, kur dikush, pasi përfundon procesin e shkollimit në vend, largohet për arsye sociale. Rasti i dytë është shkollimi i tyre jashtë vendit dhe moskthimi i tyre për shkak të kohës së gjatë të kaluar jashtë e bën më të vështirë kthimin në atdhe. Këto fenomene evidentohen në pjesën më të madhe të tyre, në vendet në zhvillim, ku diplomat janë rruga më e sigurt për të ikur nga një vend me ekonomi të turbullt apo situatë politike të vështirë, drejt një vendi që ofron më shumë siguri për jetën.

Në Shqipëri kemi qenë dëshmitarë të këtij fenomeni të emigracionit të trurit që prej vitit 1990. Me gjithë format e ndryshme që organizmat e huaj dhe qeveritë shqiptare kanë ndërmarrë, s’kanë arritur ende në një program të qartë kombëtar në zgjidhje të këtij problemi. Ata kanë përmbushur në mënyrë fiktive normat, duke votuar një vendim të Këshillit të Ministrave, megjithatë ende jemi larg një fushate të mirëfilltë për të inkurajuar ata që i duhen vendit dhe shoqërisë që të vijnë dhe të angazhohen në zhvillimin e vendit. Ky gabim apo “neglizhim” duhet të mos ndodhë me trurin kosovar, sepse të rinjtë e Kosovës përbëjnë tre të katërtat e popullsisë së saj. Janë ata, të cilët do të duhet të furnizojnë politikën e Kosovës në kushtet e konkurrencës pluraliste dhe ekonominë kosovare në kushtet e një strukturimi të mirëfilltë të ekonomisë moderne të tregut.

Situata paraqet dy anë të medaljes. E para përfaqëson atë që u tha më lart, nevojën e thithjes së trurit. E dyta ka lidhje me nevojën e punësimit të një ushtrie të madhe të papunësh në Kosovë, të cilët natyrisht në shumicën e vet janë të rinj. Për realizëm duhet thënë se në rastin e Kosovës mundësia e emigrimit për arsye pune përbën edhe mundësinë më të mirë për të patur një alternativë në raport me pamundësinë e punësimit në Kosovë.

Nisma e qeverisë së Kosovës në vetvete është pozitive, por ajo rrezikon të mbetet një proces propagandistik. Duhet thënë se në kushtet e ekonomisë së tregut faktori dominues nuk është patriotizmi apo çdo forme tjetër patetizmi politik. Ndaj, nevojitet të krijohen me reforma legjislative politike kushtet e nevojshme të tregut të punës. Përvojat e mëparshme ballkanike, duke përfshirë dhe Shqipërinë, janë negative, administrata nuk ndërtohet mbi bazat e logjikave konkurruese të tregut, por mbi ato klienteliste politike dhe klanore. Ndaj, për t’u bërë e besueshme, qeveria e Kosovës lypset të ecë në një rrugë të ndryshme nga ato që deri tani janë ndjekur në pothuajse të gjitha vendet ballkanike.

*Studiuese dhe këshilltare pranë revistës franceze “Politique Internationale”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›