Prof. Mehmet Vokshi në librin e parë të diplomacisë kosovare
Më tej ai vazhdon në parathënie: “Duke hulumtuar në arkivin e Beogradit në 1976-ën, rastësisht siç ngjet gjatë asaj pune të mundimshme, hasa në një dosje jo të zakonshme. Në fillim ishin plasuar biografitë e tridhjetë e tetë personaliteteve kryesore shqiptare. Në fund ishte një nëndosje e veçantë, ku prezantoheshin emrat e dyqind e katërmbëdhjetë intelektualëve (ylemave) shqiptarë të Kosovës, që nga Jeni Pazari e deri te Dibra. Të gjithë këta intelektualë ishin të vlerësuar për t’u likuiduar… Në fund të dosjes ishte plasuar studimi i Mehmet Vokshit në përkthim, i shkruar me makinë në gjuhën shqipe, serbishte dhe italishte. Në fund të dosjes ishte plasuar një urdhëresë në katër pika, e firmosur dhe vulosur nga gjeneralshtabi i ushtrisë së Mbretërisë Jugosllave. Në pikën e parë shkruhej se Mehmet Vokshi duhej të likuidohet me atentat. Për atentatorin ishin caktuar 100 mijë dinarë. Po kështu ishin caktuar edhe për patriotë të tjerë. Sa u gëzova që i zbulova ato dokumente, po aq u hidhërova kur hasa në emrat e shqiptarëve që ishin caktuar për likuidimin e liderve më të njohur shqipëtar녔
Prof. Mehmet Vokshin fillova ta admiroj. “Kush ishte ai”? - pyet Bajrami.
Në të vërtetë, kush ishte ai?
Unë e mbaj mend dajë Mehmetin, megjithëse kam qenë fëmijë. Ai ishte burri i tezes sime së paharruar, Adlije. Pranë shtëpisë sonë në Shallvare, me ndihmën e gjyshit Masar Këlliçi, ai ndërtoi një shtëpi njëkatëshe, pra ishim afër. Daja ishte i gjatë, përfaqësues tipik i Vokshëve të Gjakovës, fis të cilit i përkiste, nevrikosej shpejt, por menjëherë binte, fjalëpak e punëtor. Pasardhës i Sulejman Vokshit, veprimtar dhe figurë e shquar e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit si dhe sa e sa luftëtarëve të tjerë, ai u bë që i ri përkrahës për çështjen shqiptare për Shqipërinë e vërtetë. Për këto arsye, ai bie në sy të pushtuesit serb dhe detyrohet nga mesi i viteve ’20 të vijë në Shqipëri. Punon në arsimin shqiptar në Shkodër si inspektor dhe Tiranë si profesor në gjimnaz. Në këtë kohë boton edhe librin “Shqipnia e shqiptarëve”.
Nuk mund të durojë pushtimin fashist dhe merr pjesë në krye të demostratës së 28 nëntorit 1939 (I. Gogaj, J. Bllakcori punëtor i vyer i shkollës shqipe, revista “Univers” nr. 5, 2003).
Më kujtohet si tani kur në ballkonin e shtëpisë sonë luanin shah me Sejfulla Malëshovën (Vokshi ka marrë pjesë edhe në kampionatin kombëtar të shahut). Kontradikta nuk ishte për lojën, por sepse dajë Mehmeti pinte cigare kurse Sejfullai jo.
“Lërë të shkretën”, - Sefullai. “Kjo më ndihmon për të të mundur”, - Mehmeti.
Nga tavolina e shahut i hiqte vetëm daja im, Reshat Këlliçi, i cili nuk e luante dhe kështu nuk kishte me kë të bisedonte. Mbaj mend biseda të gjata që shumë herë nuk i kuptoja. Me kalimin e kohës bisedat kalonin në frëngjisht, për të qenë më të sigurtë.
Vokshi ishte kundër çdo diktature, kështu që kishte filluar të binte në sy edhe mbas 1944-ës, sepse ishte mësuar të fliste kudo dhe hapur. Kështu i këshilluar nga shoku i tij Malëshova dhe me ndihmën e tij kur ai ishte Ministër i Kulturës dhe Propogandës vendosi të shkojë në Kosovë nga fillimi i vitit 1947, me shpresë se do të kthehej së shpejti. Këtu influencoi edhe gjendja ekonomike e vështirë e asaj kohe, kur ai me tre femijë nuk po ia dilte dot në sistemin me triska. Atje në pronat e familjes mbase do të ishte më mirë.
Më kujtohet si tani ajo ditë, kur një makinë ndaloi para shtëpisë së tyre përbri Lanës së atëhershme, për t’u larguar dhe për t’u parë mbas tridhjetë vjetesh, por jo me atë, i cili atë kohë kishte vdekur. Në 1948-ën rrugët u mbyllën. Titoja mori rrugë tjetër kurse ne rrugën e izolimit, rrugë që edhe në letër kishe frikë të shkruaje.
Mbas disa kohësh tezja shkruante: “Mehmeti po ruan pulat.”
U mor vesh, ai ishte burgosur edhe më vonë internuar…
Me Afrimin, djalin e tezes sime, kam kujtime të paharruara. Ai më ka marrë për të parë ndeshjet e Ballkaniadës, në 1946-ën. Ai atë kohë ishte 16-17 vjeç, por luante me skuadrën e parë të Tiranës, si alla i majtë në fushën sportive të Shallvares që e kishte pranë shtëpisë. Këtë e kujton ai, por edhe shokët e tij të skuadrës, Osman Caslli dhe Osman Reçi, të cilët më vonë u bënë titullarë të Tiranës, me të cilët u takua para pak kohë për t’u çmallur.
Fotoja që botohet mban datën e korrikut 1944 në fushën e Shallvares. Afrimi është i pari majtas në radhë të dytë. Në sfond hotel “Dajti”.
Afrimi dhe motra e tij jetojnë tani në Shkup, pa harruar kurrë Tiranën ku u lindën, pa harruar shtëpinë e vjetër në Shallvare.
Duke u kthyer te prof. Vokshi, shënojmë se libri i tij “Shqipnia e shqiptarëve” ndahet në disa kapituj: “Kufijtë etnografikë të Shqipnisë”, “Afër njëzet shekuj lufte”, “Prej traktatit të Berlinit në luftën europiane”, “Cungullimi i fundit”, “Shtypjet ose përdhunitë serbe”, “Pushtimi grek”, “Njëhsimi ekonomik” dhe “E drejta kombëtare”.
Ai shkruan: “Cungullimi i tashëm i Shqipnisë nuk paraqet vetëm nji padrejtësi që nuk durohet dhe coptimin e një etnije kombëtare që nuk ka shembull të tillë ndër popujt e Evropës, por formon nji krim tuej lëshue ndër sundimin e huaj pjesën komtare të Shqipnisë, e cila asht shumë ma e madhe se Mbretnija e tashme indipendente…”
Duke vazhduar me dr. Hakif Bajramin: “Një vit jam ndrydhë e shtrydhë nga t’ia filloj për ta zbuluar atë njeri, i cili me studimin e tij të shkurtër, me modesti të rrallë i kishte vënë pothuajse të gjitha informatat dhe të gjitha argumentet opinionit europerëndimor, duke ia prezantuar të gjitha padrejtësitë që iu ishin bërë shqiptarëve nga Kongresi i Berlinit e këndej. Ai mbetet libri i parë i diplomacisë kosovare.”
Prof. Mehmet Vokshi, me studimin e tij iu la shqiptarëve një porosi: të ndërtohet Shqipëria e të gjithë shqiptarëve.
Mehmet Vokshi hyn në radhën e atdhetarëve të kulluar që punuan për Kosovën, punuan për Shqipërinë duke lënë edhe gjurmë. Ne i themi sot atij me plot gojën: Mehmet Vokshi, u kry!