E Shtunë, 31 Tetor 2026

Disidenca e dyshimtë brenda PD

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike konsoliduan dje publikisht qëndrimet e tyre për votimin e reformës zgjedhore ditën e hënë, duke imituar një betejë mosbesimi të ndërsjelltë për numrin e nevojshëm të votave. Kastriot Islami dhe zëdhënësi i PD siguruan njëri-tjetrin publikisht, se ditën e hënë do të jenë 94 vota për reformën zgjedhore dhe se PD e ka skualifikuar tashmë kërkesën e disa dhjetëra deputetëve të saj që presidenti të zgjidhet nga populli. Në fakt, ata që imituan disidencën brenda PD, u pa që në fillim se ose ishin hipokritë në kërkesën e tyre, ose ishin duke i treguar Berishës t’i respektojë pak më shumë, se ata nuk i prishin punë, thjesht një rrogë në parlament duan. Tallja e Berishës me ta, se ishte gati t’i mbështeste, nëse mblidhnin 94 vota, në fakt ndodhi disa ditë pasi ai e kishte mbledhur kryesinë, së cilës i referohej dje publikisht zëdhënësi i PD. Kjo vërtetoi atë që gazeta paralajmëroi që ditën që Berisha u tall publikisht me ta, se nuk kemi të bëjmë me ndonjë fitore të rebelëve, por me një tallje të Berishës me ta, për shkak të pafuqisë së tyre.

Por, a meriton të respektohet disidenca brenda PD?

E vërteta e hidhur është se nuk kemi të bëjmë me një oponencë reale ndaj Berishës, por me një reaksion që vjen nga injorimi që ai i bën mungesës së vlerave të atyre deputetëve. Për konceptin e tij, ata janë thjesht disa deputetë që i janë imponuar për shkak të sistemit elektoral, duke krijuar domene force dhe lidhjesh të dyshimta me kundërshtarët për t’u bërë deputetë. Shihet qartë, se ata nuk rrezatojnë as ndonjë ide politike ndryshe, as ndonjë artikulim qëndrimi progresiv, por janë në kërkim të një shefi. Dhe, meqë Berisha shihet qartë që i injoron dhe nuk i përfill, ata kanë vetëcaktuar si udhëheqës të tyre presidentin, Bamir Topi. Ky i fundit, i përsosur në stilin e tij për të mos ia prishur askujt, natyrisht i begenis dhe tashmë debati më thelbësor në vend për reformën kushtetuese u banalizua te vënia në pazar e mënyrës së zgjedhjes së presidentit, me nevojën që ky grup të merrte siguri nga Berisha, se do jenë përsëri në lista. Nga mënyra sesi ata filluan ta shpallin si fitore mbledhjen e firmave para dy ditësh, ndërkohë që Berisha kishte vulosur qëndrimin para pesë ditësh në mbledhje kryesie, kuptohet qartë se kemi të bëjmë ose me një grup pa asnjë intuitë politike, ose me një grup hipokrit që përpiqet të bëjë pazar mes Topit dhe Berishës, kush ua siguron më lehtë rrogën e deputetit. Kjo është një arsye e fortë për të mos pasur respekt dhe për t’u mos u konsideruar realisht një grup që prodhon moderacion ose kundërshti në vendimmarrjen e PD.

Problemi i dytë madhor që krijon ky grup, ka të bëjë me debatin e madh rreth korrupsionit zyrtar dhe inkriminimit të qeverisë në rastin ‘Gërdeci’. Fenomeni ‘Gërdeci’ është një nga ato ngjarje të mëdha që ndajnë historinë politike të një partie, kur është në pushtet. Ashtu sikundër e vlerësoi dje “New York Times”, ajo është një ilustrim i tmerrshëm i korrupsionit. Grupi “rebel” brenda PD jo vetëm që nuk e ka dënuar këtë histori të ndyrë korrupsioni, por pikërisht ky grup ka organizuar dhe një lobim në mbrojtje të Fatmir Mediut për t’i mundësuar atij shpëtimin nga hetimi, në rast se e kërkon drejtësia. Është fatale për çdo figurë politike të PD të mos ketë një qëndrim të saj për Gërdecin, por është asgjësuese për ata që vetëshpallen kundërshtarë të kryeministrit apo aleatë të presidentit të mos thonë as gjysmë llafi për Gërdecin dhe autorët e tij. Ndonjë prej tyre mjaftohet me informacione anonime në gazeta, por ky nuk është gjest politikani. Politikani e ndan historinë e tij dhe qëndrimet e tij publikisht. Media shqiptare akoma nuk ka regjistruar asnjë zë kundër qëndrimit zyrtar të PD për Gërdecin. Ky është një minus i madh për këdo që pretendon të bëjë rolin e kundërshtarit të Berishës në atë parti, pasi ky pozicion i nxjerr ata në pozita më regresive se Berisha para opinionit publik. Nëse dikush mendon se historia e Gërdecit do të përfundojë me dy-tri biznesmenë të arrestuar dhe të liruar pas dy-tri vitesh, gabohet rëndë. Ajo është një masakër në emër të korrupsionit dhe mund të marrë poshtë vetes gjithë shumicën. Nëse disidentët e Berishës në PD janë më të zellshëm se Berisha për të mbrojtur Gërdecin, atëherë ata do të fshihen të parët nga memoria e shoqërisë.

Dhe, së fundi, prodhimi i një fryme përgjegjshmërie dhe vetëkritike brenda PD për problemet, me të cilat ndeshet qeverisja, nuk mund të banalizohet me krekosje kandidatësh për ministra, apo lobingje për pazare dhe lidhje personale. Të përpiqesh të shpëtosh diçka brenda PD dhe shumicës në përgjithësi duhet guxim për të vënë gishtin në plagët që po e rrënojnë atë. Disidenca brenda PD nuk mund të jetë si avokati pazaresh, por duhet të ketë guximin të denoncojë korrupsionin, duhet të ketë guximin të përmendë së paku emrin e Delijorgjit apo miqve të tij në pushtet. Kështu siç është, ajo është reaksionare dhe më e dëmshme se vetë qeveria dhe gafat e saj. Për këtë arsye ata shërbejnë më shumë si arsye për t’u forcuar Berisha sesa si mekanizëm për ta mbajtur atë nën kontroll. Rasti i fundit dhe lëvizjet e tyre konfuze për votimin e presidentit dëshmojnë se s’kemi të bëjmë me ndonjë ide politike, por thjesht me njerëz që kërkojnë të faktorizohen, duke përdorur rivalitetin real Topi - Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›