Iku S.B.-ja i Italisë
Nga Elton Xhanari
Thats all, folks, titullonte gazeta amerikane The Economist, pasi Silvio Berluskoni humbi shumicën parlamentare dhe si pasojë dha dorëheqjen dje në mbrëmje nga posti kryeministror. Kjo është gjithçka, djema: me të njëjtën thirrje përfundojnë edhe filmat vizatimorë të Looney Toons, si Willy Coyote apo Bugs Bunny. Dhe që epoka e Silvios nuk ishte aq normale për politikën italiane u bë e qartë sidomos kohët e fundit, kur edhe vellot e mbetura i mori era dhe kur doli në pah një teatër kukullash me drita të kuqe.
Për 17 vite me radhë, Silvio Berluskoni, me buzëqeshjen e tij prej shitësi rrufjan, arriti të diktonte axhendën politike italiane si asnjë tjetër. One man show. Me të, ose armik i popullit: natyrisht atij të lirisë. Koncept komunist: ironia e regjimeve të çdo llojë ngjyre.
Në pak rreshta është e vështrë të përmbledhësh bëmat e sulltanit, por një fije logjike aspak e hollë shpjegon veprimtarinë qeveritare të Silvios. Së pari interesat e veta: ekonomike apo juridike. Nësë një ligj nuk i pëlqente, ai thjesht e ndryshonte në bazë të gustove të veta. Ad personam, e thënë ndryshe. Nësë gjykata ngrinte një proces për falsifikim bilanci, mjaftonte të shfuqizohej neni përkatës nga kodi penal. Nëse Mediasetit i ulej shikueshmëria, mjaftonte të shkatërroheshin programet e Rait me më shumë sukses. Thjesht, qartë dhe pastër.
Sulltani nuk i fshehu asgjë publikut: si një shfaqe komike e cila në disa raste merrte ngjyra të errëta. Dhe populli italian e besoi për pothuajse dy dekada; i hipnotizuar si nga një flaut magjik. Për hir të së vërtetës pati edhe zgjime të herë pas hershme, (Romano Prodi e mundi në dy zgjedhje), por Berluskoni pati zgjuarsinë tu servirte italianëve pikërisht çfarë ata donin të dëgjonin. Shumë drita, ngjyra, temina, lule, gënjeshtra. Bukur, bravo, bis!
Por si çdo shfaqe, ka edhe një fund. Është njësoj sikur të del pija: lë pas dhimbje koke; dhe Italianët prej dy vitesh nuk ndihen aq mirë. Kriza ekonomike ka kafshuar mishin e gjallë të shoqërisë duke çuar në 24% papunësinë rinore, me rritje ekonomike qesharake për një ndër shtetet më të industrializuara në botë. Ndërkohë që shteti digjej, qeveria mohonte realitetin duke thënë se tymi vinte nga komshia, dhe kryetari i qeverisë, 77 vjeçar, ishte i zënë në hesape të tjera në një epsh prej adoleshenti.
Me një shumicë parlamentare të pashoqe në historinë e republikës, Berluskoni nuk pati as kurajon, as interesin, as kapacitetin, të kryente reformat liberale tipike të një force politike të djathtë. Vitet e fundit Silvio humbi gjysmën e partisë me largimin e Xhanfranko Finit; humbi gruan pas divorcit (është i sëmurë, dikush duhet ta ndihmojë, tha Veronika Lario pasi u vu në djeni të netëve xxx të ish-bashkëshortit); humbi popullaritetin (22% sipas sondazheve, një mizerje e vërtetë për maestron e taktikave të komunikimit). Por mbi të gjitha humbi besimin: e ndërkombëtarëve, e tregjeve financiare, e deputetëve. Sepse fuqia e sulltanit bazohej mbi një besim qorr; të heshtur; të pamposhtur. Shumëkush gënjeu veten që Silvio do i zgjidhte të gjitha, që aparenca është edhe substancë, që gjithçka shkon mirë.
Përfundon kështu përralla e Berluskonit. Dje doli pija; nesër fillon një kurë e hidhur.