E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zahmeti i zagarëve

Share

Një parodi e frikshme për pushtetin e korruptuar dhe shërbëtorët e tij. Çdo ngjashmëri me persona realë (nuk) është e rastësishme dhe e paqëllimtë!

Nga Enver Robelli

Zagari i pushtetit dallohet shpejt dhe atë përmes dy ligësive të tij, mes shumë të tjerave. Së pari: ai është i guximshëm (!) për të futur kokën në fëlliqësi për interesa egoiste dhe klanore; ky është guximi i budallait të rrezikshëm; së dyti: ai me qejf dhe vullnetarisht e degradon veten në zvarranik. Për të bërë këtë ai i referohet atdheut, në rastin e Kosovës thirret në luftë, në heroizëm, në sakrificë ndonëse kurrë ska qenë pjesë e tyre, madje shpesh është gjendur në anën tjetër të barrikadave, në atë të Zhikës dhe Zoranit.

Për figura të tilla zagarësh dhe zvarranikësh shkruan autori Kurt Tucholsky, mbase njëri prej gazetarëve më të mëdhenj gjermanë të shekullit XX-të. Zvarraniku lejon të degradohet në gomar të dobishëm. Angazhimi i tij politik dhe publik shton nivelin e zhurmës, por nuk ka asnjë dobi për shoqërinë, përveçse për xhepin e tij personal! Zagari i pushtetit të korruptuar (dhe të kriminalizuar) dallohet edhe me vese të tjera: pasioni i tij mizor nuk është vetëm gllabërimi i të mirave publike, por edhe aftësia shkatërrimtare për të çuar pluhur dhe për të gënjyer në emër të partisë, pushtetit, nahijes, rajonit, bandës… Zvarraniku mund të definohet edhe si qenie që sdi të dëgjojë, sepse sikur të dinte të dëgjonte – do të skuqej. Kush skuqet është i aftë të mendojë edhe për pragun moral, i cili nuk bën të shkelet.

Ferma e kafshëve

Zvarraniku e di që njeriu me lak në fyt, ai njeriu i poshtëruar nga pushteti, duhet së paku të shurdhohet me premtime, llafe (jo fjalë) përkëdhelëse, komplimente dhe vërejtje dashamirëse, së paku. Kështu do ti turbullohet edhe më shumë mendja publikut mbi sukseset, të arriturat, rezultatet. Zagari i pushtetit respekton ligjet e tij, të cilat i dizajnon tok me bashkëmendimtarët. E, ligjet e tij vlejnë për atë kategorinë e njohur nga romani Ferma e kafshëve të George Orwellit, kur derrat, në një moment, thonë: të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa janë më të barabarta. Zagari i pushtetit është i aftë që personalitetin e tij ta ndajë në dy pjesë: njëra anë e tij nuk dëshiron të mendojë, tjetra nuk mund të mendojë, sepse është e nxënë me fshehjen e gjurmëve të krimit, me kurdisje tenderësh, me thurje komplotesh, me krekosje patriotike, me shpifje nëntokësore. Njeriu i çarë në dy pjesë, shkruante Kurt Tucholsky. Dhe kishte të drejtë. Shumë madje. Zagari i pushtetit gllabëron bimë dhe mish, hithra dhe lakra, por kur e do puna, kur kërkon shefi, zagari është i gatshëm (ham, ham!) të kafshojë edhe dikë që ia turbullon ujin – shefit.

Plani për skllavërim

Kështu është puna: zagari i pushtetit të korruptuar gllabëron e kafshon armiqtë e pushtetit – atij pushteti që ia dhuroi Fjalorit të Gjuhës Shqipe fjalën plagesë. Zagari i pushtetit talljen me shoqërinë e percepton si patriotizëm dhe përbuzjen ndaj të pafuqishmit si shkathtësi, si dominim të opingës në asfaltin e përgjakur. Secili njeri ka (do të duhej të kishte) jetën e tij, mushkëritë e tij dhe flamurin e tij të ndershmërisë. E, çfarë ka zagari i pushtetit? Ai ka flamurin e krimit dhe korrupsionit. E valëvit kudo, në fletushka pushteti dhe në kafehane. Në bunar, në arë, në torishtë. Fundja, nga këtu, nga torishta, buron mendësia e zagarit, i cili ka ambicie të mëdha, ambicie monarkiste, sepse mendon se çfarë sia rrok mendja, ia rrok kuleta.

Ka zagarë që bëjnë zahmet për tia lehtësuar sundimin pushtetit votëvjedhës; shpesh votëvjedhja mbështillet me ambalazh patriotik. Mos u habitni nëse të tillët i shihni përherë bashkë, duke thurur plane të reja për skllavërimin e mëtutjeshëm të shoqërisë, për mposhtjen e atyre që nuk i bien tupanit të pushtetit. Autorja austriake Ingeborg Bachmann shkruante:

Skllavërimin se duroj

Unë jam përherë unë

Kur dikush të më mposht dëshiron

Më me qejf thyhem.

 

Kur vjen ashpërsia e fatit

ose pushteti i njeriut

Këtu, atëherë jam dhe mbetem unë

Dhe e tillë mbetem deri në forcën e fundit.

 

Prandaj gjithherë jam vetëm një

Unë jam përherë unë

Kur ngjitem, atëherë ngjitem lart

Kur rrëzohem, atëherë rrëzohem krejtësisht.

Meqë ra fjala te poezia në këtë parodi për pushtetin e korruptuar, mu kujtua poeti e studiuesi i mërguar shkodran Arshi Pipa, i cili në një poezi e kishte tallur Enver Hoxhën pasi gjithandej flitej se në rini, si bjerrakohës në Paris, diktatori i ardhshëm shqiptar kishte qarkulluar nëpër rrethe homoseksualësh. Në fakt, vargjet e Arshi Pipës janë protestë politike kundër të gjithë zagarëve të pushtetit. Ata e nisin karrierën si zagarë dhe përfundojnë, nëse u jepet rasti, në torturues. Ja çfarë shkruante Pipa për shokun Enver Hoxha:

O bandill të lumtë bitha,

Ajo i shpjegon të gjitha!

Çduhen dituri e mend

Kur njeriu ka fatin tënd!

Në çdo tragjedi ka edhe pak komedi, ku duartrokitjet blihen po ashtu si edhe buzëqeshjet edhe përqafimet. Çmimi nuk është i shtrenjtë, sepse sa më i lodhur mileti, aq më lehtë është të gjunjëzohet i shkreti. Paralelisht me këtë proces ecën dëmtimi i demokracisë, delegjitimimi i institucioneve të rëndësishme të shtetit, dobësimi i parlamentit, duke e mbushur atë më figura që potencialisht janë në radarin e drejtësisë si shkelës të ligjit. Çmimin e paguan shoqëria, e fitimin e marrin zagarët e pushtetit dhe shefat e tyre. – Kjo ishte vetëm një parodi e frikshme që nuk ka të bëjë fare me Kosovën. Kjo është me rëndësi të theksohet në fillim dhe në fund të këtij shkrimi. Për të evituar keqkuptimet dhe për të nënvizuar se çdo ngjashmëri me persona realë (nuk) është krejt e rastësishme dhe e paqëllimtë!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›