Vegza e akuzës
Kërkesa për transferim të licencës nga Dardafon LLC në Dardafon.net LLC ishte dhe mbetet arsyeja e parë e fillimit të hetimeve të organeve të drejtësisë, ndaj projektit për Operatorin e Rrjetit Mobil Virtual (MVNO) të PTK`së.
Edhe pse PTK kishte nënshkruar në gusht të vitit 2008 një parakontratë me Philip Walker, si përfaqësues legjitim i Dardafon LLC dhe bashkë me të në atë kohë ishte Ardian Shatku, biznesmen shqiptaro-amerikan, të njëjtit nuk u gjenden në marrëveshjen përfundimtare.
Kjo për shkak se Ismet Bojku, ndërmjet 21 dhe 25 nëntorit të vitit 2008, si përfaqësues ligjor i Dardafon LLC dhe Dardafon.net LLC, ka paraqitur, pas një marrëveshjeje të mëparshme dhe nën mbikëqyrjen e Blerim e Shkelqim Devollit, një kërkesë në Autoritetin Rregullator të Telekomunikacionit (ART) në Prishtinë, për transferimin e një licence të MVNO nga Dardafon LLC te Dardafon.net LLC, përkundër faktit se e ka ditur strukturën e përgjithshme të aksionarëve brenda Dardafon LLC.
Një ndër aksionarët kryesorë ishte kompania Unitel Eorld, me pronar Adrian Shatkun. Ai as nuk e ka ditur se do të ndodhte një transferim i tillë i licencës.
ART transferoi licencën nga Dardafon LLC në Dardafon.net LLC dhe në këtë mënyrë Dardafon LLC humbi licencën, për të cilën kishte investuar 50.000 euro.
Burime të gazetës tregojnë se ka qenë ART që ka vendosur për këtë punë, edhe pse ishte në dijeni për transferim të licencës.
“Në ART, komisioni që udhëhiqej nga Lulëzim Kurtaj ka vendosur që të gjitha të drejtat t’i kalojnë Dardafon.net. Ai ishte në dijeni se ky veprim është në kundërshtim me nenin 332, paragrafi 1 të KPK-së, në lidhje me veprat e falsifikimit të dokumenteve. Në një takim, ai ka pasur mosmarrëveshje me anëtarët tjerë të komisionit për këtë gjë”.
Sipas burimit të gazetës, pas këtij veprimi të ART-së, si institucioni i vetëm në vend për mbikëqyrjen dhe rregullimin e tregut të telefonisë mobile në vend, PTK ka qenë e obliguar që të lidh marrëveshje.
“Me këtë veprim, ART e ka obliguar PTK-në që të zbatojë në tërësi vendimin e tij, për çka sot janë ngritur edhe aktakuzat”, thekson burimi i gazetës.
Deri më sot, përkundër ngritjes së aktakuzave ndaj zyrtarëve të lartë të PTK-së dhe të kompanisë Devolli, askush nga zyrtarët e ART-së nuk është prekur nga ky rast.
Gazeta ka siguruar një dokument nga ART, që mban datën 10 dhjetor 2008, në të cilin shihet se kompania e ka ndryshuar emrin nga Dardafon LLC në Dardafon.net, me kërkesën përfaqësuesve të kompanisë.
“Dardafon.net LLC do t`i bart të gjitha të drejtat dhe detyrimet, të cilat i kanë takuar kompanisë Dardafon LLC”, thuhet në pikën tre të këtij vendimi.