Ilegalja

Drejtoria politike e UÇK-së ishte një imponim, kurse ushtrinë e krijoi Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës. Kështu thuhet në librin që ka ngjallur debate të nxehta në Kosovë. Në ambientin e Institutit Albanologjik, bën të ditur Kosovapress, është promovuar libri voluminoz i Bedri Islamit, “Lëvizja -lindje e përgjakur, bashkëbisedim me Ibrahim Kelmendin”, i cili u cilësua si një monografi historike e llojit të vet për Lëvizjen Popullore të Kosovës dhe të ilegales shqiptare e cila arriti të nxjerrë Kosovën nga zgjedha pushtuese njëshekullore.
Një nga bashkëveprimtarët dhe recensenti Sadri Ramabaja deklaroi se libri i Bedri Islamit “Lëvizja-lindje e përgjakur, bashkëbisedim me Ibrahim Kelmendin” brenda pak ditësh ka ngjallur debatin e munguar publik për tema të heshtura dhe për tema pak të njohura për opinionin por edhe për temat që mediat dhe politika i kishin përpunuar në mënyrën se si u konvenonin atyre, duke përmbysur realitetin historik.
Sipas tij, Ibrahim Kelmendi rrëfen për krajatat e idealistëve që krijuan UÇK-në duke mos lënë anash as pjesën që mund të cilësohet si një lloj puqi politik brenda UÇK-së, marrjen e saj nën kontroll nga katërshja e famshme që edhe sot e bënë pushtetin në Kosovë.
Ai shtoi se grupi i cilësuar si katërshja që iu është imponuar Ushtrisë Çlirimtare si drejtuese, përmes drejtorisë politike mënjanoi organin legjitim, udhëheqës të luftës së UÇK-së, kryesinë e LPRK-së. “Kjo katërshe që prezantohet brenda këtyre 200 faqeve të fundit të librit si klan më vete, i mbështetur nga mekanizmat të Tiranës zyrtare dhe një lagje qendrash vendimmarrëse që i rrinin pranë përherë dhe kudo si hije, tash nga këto qendra po shfrytëzohet për t’i shpëtuar fytyrën Serbisë, duke përgatitur terrenin për një ndarje të butë të Kosovës”.
Me një analizë rreth librit, të pranishmëve iu drejtua edhe letrari Reshat Sahitaj, i cili tha se në këtë vepër defilojnë figurat më të ndritshme të kombit, duke filluar nga Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla e deri te Adem Jashari por edhe figurat e errëta të cilat ishin pengesë e avancimit të luftës çlirimtare.
Ai shoti se dalja e UÇK-së nuk ishte prodhim i punës njëvjeçare, siç pretendojnë disa, por as nuk ishte fabrikim, as dorë e zgjatur, por prodhim i punës sistematike dhe sakrificave të njëpasnjëshme të djemve dhe bijave më të mira të Kosovës.
Kurse, autori i librit, Bedri Islami tha se ata që e kanë lexuar librin mund të vërejnë se në libër janë pothuajse dy libra.
“Është libri i Ibrahimit, është edhe qëndrimi im ndaj librit, në disa raste pajtohen e në disa raste nuk pajtohen, por në fund të fundit sipas tij kjo ka qenë lëvizja popullore e Kosovës, një organizatë tolerante dhe ku diversiteti në mendim ka qenë i pranishëm por edhe ku mendimet e kundërta kanë gjetur hapësirën e vetë për t’u shfaqur dhe pastaj janë botuar”.
“Pasi që u themelua UÇK-ja, nuk ka guerile me rritjen më të shpejt në botë dhe nuk ka guerile me suksesin më të shpejt në botë dhe kjo është meritë e djemve dhe vajzave të lëvizjes, jo vetëm të atyre që nga viti 90 e vazhduan këtë histori, as nga të tjerët të para vitit 1981, por i atyre që nga të vitit 1945 e deri në çlirimin e Kosovës’, tha Islami.
Ai tha se në njerëzit që çmon më shumë në lëvizjen ilegale është Ibrahim Kelmendi, si një ndër themeluesit e LPK-së, i cili ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm, të cilin të mëvonshmit e nderojnë për punën që ka bërë, por në vendimet e Këshillit të Përgjithshëm asnjëherë nuk është përcaktuar se ka pasur një puq ndaj lëvizjes, që ka pasur sabotatorë në lëvizje apo se ka pasur një katërshe.
“Krijimi i drejtorisë politike të UÇK-së ka ardhur pas takimit të shokëve tanë me zotin Hollbruk dhe ka qenë direkt porosi e tyre që UÇK-ja të mos ketë përfaqësim nëpërmjet një partie politike por nëpërmjet një drejtorie politike dhe ndërtimi i drejtorisë politike është bërë në miratim të kryesisë së LPK-së dhe pjesëve të shtabit”, ka thënë ai.
Ndryshe, autori veprën e zhvillon në formë të bashkëbisedimit dhe intervistimit, formë kjo që shpie në krijimin e një zhanri dokumentar-biografik, pasi që ana dokumentare e veprës vjen në dukje me përdorimin e veprave nga arkivi, ndërsa ana autobiografike me rrëfimin e ngjarjeve të përjetuara nga dy protagonistët.