E Shtunë, 31 Tetor 2026

QKK: Kodin e financuat ju

Filmi ‘Kodi i jetës’ i regjisorit Ekrem Kryeziu i vë në sherr Qendrën Kinematografike të Kosovës dhe nëngrupin për arte skenike të Grupit të ekspertëve për kulturë të LDK-së. Kritikave të këtyre ekspertëve për financimin e filmit, drejtuesit e QKK-së u përgjigjen se vendimi për përkrahjen e ‘Kodit të jetës’ është marrë në vitin 2009.

Qendra Kinematografike e Kosovës ka reaguar ndaj një komunikate të Grupit të ekspertëve për kulturë të LDK-së, nëngrupi për artet skenike, në të cilën kërkohet nga Ministria e Kulturës që të heqë dorë nga ndarja e buxhetit për projekte, që ata i kanë quajtur joartistike, pastaj ta rishikojë rolin e QKK-së, duke e tjetërsuar atë nga një fondacion ‘bamirësie’ në institucion aktiv themelkrijues e promovues vlerash. Po ashtu në komunikatën e Grupit të ekspertëve për kulturë të LDK-së, nëngrupi për artet skenike, të dërguar mediave të mërkurën, kërkohet që MKRS t’i ftojë filmbërësit profesionistë dhe të hartojë strategji të mirëfilltë për stimulimin dhe zhvillimin e vlerave konkurruese kinematografike në Kosovë si dhe t’i kërkojë raport të detajuar QKK-së për mënyrën e menaxhimit të Fondit për Kinematografinë.

“’Kryevepra’ kinematografike e qeverisë, ‘Kodi i jetës’, një projekt i kushtueshëm filmik për qeverinë, nuk përmbushi asnjë pritje artistike. Ky projekt dëshmoi edhe një herë mbizotërimin e një mendësie atipike në udhëheqjen e kulturës, e cila synon formalizimin e institucioneve supreme të kulturës dhe tjetërsimin e vlerave kulturore të këtij vendi”, thuhet në komunikatën e ekspertëve për kulturë të LDK-së, e cila i ka indinjuar drejtuesit e QKK-së.

Ndryshe prej zyrtarëve të MKRS-së, të cilët kanë preferuar të mos reagojnë ndaj kësaj komunikate, drejtuesit e Qendrës Kinematografike kanë vendosur të kundërtën. Në reagimin e QKK-së, të nënshkruar nga Fatos Berisha, drejtor i QKK-së, Arben Zharku, kryesues i Këshillit drejtues, si dhe nga anëtarët e Këshillit drejtues Burbuqe Berisha, Arben Apolloni, Agron Vula dhe Ilir Kabashi, thuhet se vendimi për përkrahjen e filmit ‘Kodi i jetës’ është marrë në vitin 2009, kur drejtor i QKK-së ishte Zeqir Hamiti dhe në Këshill drejtues ishin: Çun Lajqi, Eqrem Basha, Agron Vula, Jahi Jahiu dhe Ismet Sijarina, ndërsa ministër i kulturës në atë kohë ishte Valton Beqiri.

“Për më keq, menaxhmenti i QKK-së i asaj kohe gjatë procesit të përzgjedhjes së projekteve ka bërë një sërë shkeljesh gjatë procedurës, ndër të cilat më e madhja është se d anëtarë të Këshillit drejtues (Çun Lajqi dhe Jahi Jahiu), me propozim të drejtorit kanë zgjedhur vetveten në Jurinë vlerësuese për përzgjedhjen e projekteve filmike (përbërja e plotë e Jurisë vlerësuese ka qenë: Agim Selimi, Çun Lajqi, Eqrem Basha, Zejnullah Rrahmani, Selami Taraku, Selman Jusufi dhe Jeton Neziraj)”, thuhet në reagimin e QKK-së. Në reagim, po ashtu thuhet se insinuatat për politizim të QKK-së janë absolutisht të paqëndrueshme, sepse asnjë nga anëtarët e sotëm të Këshillit drejtues dhe Drejtori i QKK nuk janë anëtarë të asnjë partie politike.

Sa i përket projektit filmik ‘Kodi i jetës’, të cilit Grupi i ekspertëve për kulturë i LDK-së i referohet me ironi si ‘kryevepra e qeverisë’, dhe 2 projekteve tjera të metrazhit të gjatë të subvencionuar në 2009 dhe 2010 nga ish menaxhmenti, drejtuesit e QKK-së thanë se tashmë kanë dërguar kërkesën te Auditori Gjeneral i Kosovës për auditim të këtyre projekteve, dhe nëse ka parregullsi në rrjedhën e këtyre projekteve, ata paralajmërojnë se dikush do të japë edhe përgjegjësi juridike.

Për të pasqyruar punën, vizionin dhe strategjinë e Qendrës Kinematografike sot, drejtuesit e saj i përmendin punët që ka bërë Këshilli i tashëm drejtues.

“Për dallim nga e kaluara, punën e parë që kemi bërë është se kemi krijuar raporte me të gjitha qendrat kinematografike homologe të rajonit (përveç të Serbisë). Kemi filluar shqyrtimin e dokumentacionit dhe punëve për anëtarësim të Kosovës në Eurimages.

Kemi qenë prezent, si me filma, si me prezantim të QKK-së në festivalet ndërkombëtare të filmit: Cottbus (Gjermani), Winthertur (Zvicër), Durrës (Shqipëri), Abu Dhabi (Emirate të Bashkuara Arabe), PriFilmFest (Kosovë), Sofja (Bullgari), Freiburg (Zvicër), SkenaUP (Kosovë), Rotterdam (Holandë) dhe Berlinale (Gjermani)”, thuhet në reagimin e drejtuesve të QKK-së.

Ata po ashtu përmendin faktin se për herë të parë në historinë e kinematografisë së Kosovës, QKK ka pasur prezencën institucionale në Berlinale, duke hapur stendën e vet në Europan Film Market që mbahet gjatë dhe është pjesë e festivalit të Berlinit.

Ata përmendin edhe shumë aktivitete të tjera që janë bërë gjatë këtyre viteve të fundit, që kur është ndërruar menaxhmenti i QKK-së, midis të cilave pjesëmarrja në ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve të Akademisë Evropiane të Filmit - European Film Awards 2011 që u mbajt në Berlin e shumë ngjarje të tjera ndërkombëtare.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›