E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ilir Hoxha: Nuk dhunojmë banesa

Nga Ismail Xhaferri
Djali i madh i ish-udhëheqësit komunist shpreh mirënjohjen për të gjithë personat që morën pjesë në tubimin e organizuar në Gjirokastër në nder të 100-vjetorit të lindjes së babait të tij. "Nuk na lejuan që festimet t'i zhvillonim në shtëpinë ku lindi babai" 

GJIROKASTER- Dëshiroja që në mjediset e shtëpisë ku lindi babai, të prisja të gjithë njerëzit që e deshën dhe vazhdojnë ta duan atë, të pija me ta një gotë raki dhe t'i përshëndesja. Nuk na lejuan. Familja Hoxha ka jetuar dhe jeton duke respektuar ligjet e shtetit. Ne i respektojmë vendimet, qoftë dhe kur ato janë të dyshimta. Kështu ka deklaruar dje Ilir Hoxha, në një intervistë të dhënë për "Gazeta Shqiptare". Djali i madh i ish-udhëheqësit komunist ka shprehur mirënjohjen dhe respektin për të gjithë personat që morën pjesë në tubimin e organizuar në Gjirokastër në nder të 100-vjetorit të lindjes së babait të tij. Ndërkohë, Ilir Hoxha i ka ftuar të gjithë pjesëmarrësit në ceremoninë e pritjes, që do të zhvillohet në shtëpinë e tij në Tiranë duke thënë se do i qerasë sipas traditës me kafe dhe raki.
Si ndiheni zoti Hoxha sot (dje) në Gjirokastër, në ceremoninë e festimit të 100-vjetorit të lindjes së babait tuaj?
Natyrisht që ndihem shumë i gëzuar që ndodhem në qytetin e lindjes së babait tim, ku kam obligim të përshëndes jo vetëm gjirokastritët, por edhe të ardhurit në këtë ceremoni nga brenda dhe jashtë vendit. Po të qe gjallë Enveri, do të na dërgonte këtu në Gjirokastër për të shprehur mirënjohjen dhe respektin për gjirokastritët, minoritarët, lebërit, vëllezërit nga Kosova e shumë e shumë të tjerë. Përfitoj nga rasti që t'i ftoj të gjithë në ceremoninë e pritjes që ne do të organizojmë në shtëpinë tonë, në Tiranë.
Mësuam se shtëpia e lindjes së babait tuaj nuk do t'ju vihet në dispozicion. Cili është komenti juaj?
Natyrisht, shteti bën punën e tij, por më duhet të them se ne nuk mund të dhunojmë banesën, qoftë edhe atë ku lindi babai, do të respektojmë vendimin. Pavarësisht kësaj, duhet të them se pikërisht sot (dje), burra dhe gra gjirokastrite, të njohur dhe të panjohur më kanë vënë shtëpitë e tyre në dispozicion për të pritur mysafirët. Gjithsesi është në nderin tonë, që kjo shtëpi ku lindi babai im është jo vetëm një monument kulture i rrallë, por edhe muze etnografik. Siç e patë, ajo u vizitua nga turistë të shumtë. Ajo që do të kërkoja nga shteti, është që në murin e kësaj të shtëpie të vihet një pllakë, ku të shkruhet se aty ka lindur Enver Hoxha. Besoj se është një e vërtetë që nuk mund të mohohet.
Në ceremoni ishin të pranishëm edhe shumë kosovarë, të cilët vlerësuan figurën e Enver Hoxhës. Si e vlerësoni kontributin e babait tuaj për çështjen e Kosovës?
Enver Hoxha ishte për bashkimin në një të vetëm të të gjitha trojeve shqiptare dhe për këtë bëri të pamundurën. Ai ka bërë shumë veçanërisht për Kosovën, Çamërinë, për shqiptarët e Malit të Zi dhe ata të Maqedonisë.
Cilët janë njerëzit tuaj të afërt në Gjirokastër dhe a njiheni me ta?
Kemi shumë njerëz të afërt, miq e të njohur. Nuk dua t'ua cilësoj emrat, sepse mund të harroj ndonjërin dhe u mbetet qejfi. Natyrisht që babai im u dinte emrat e mbiemrat, siç ishte rasti i Xhevat Avdallit, furrxhiut Malo, e shumë e shumë të tjerëve.
Me çfarë të ardhurash jeton aktualisht familja Hoxha?
Deri në vitin 2000, familja Hoxha kishte vështirësi të shumta ekonomike. Më duhet t'ju them se jam inxhinier mekanik dhe pas vitit 2000, profesionin tim e kam vënë në shërbim të familjes. Që nga ky vit kam filluar punë si këshilltar teknik pranë kompanive kineze. Kjo është e vërteta e punës time. Gjithçka tjetër që mund të thuhet është e gënjeshtërt.
A jeni anëtar i ndonjë partie?
Nuk jam anëtar i asnjë partie. Jam me gjithë njerëzit që duan përparimin e Shqipërisë.
A është e vërtetë që ju keni përzënë Hysni Milloshin nga shtëpia ku lindi babai juaj?
Është absolutisht një gënjeshtër. Në shtëpinë në Gjirokastër nuk më lanë të hyja dhe jo më të përzija Hysniun.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›