E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrolli autoteknik, Trebicka vdiq në aksident

Nga Albana Cakshiri
Ekspertët e hetimit në Korcë dalin në konkluzionin se vdekja e biznesmenit Kosta Trebicka u shkaktua si pasojë e aksidentit automobilistik. Akt-ekspertiza dorëzohet në prokurori. 

KORÇE Vdekja e biznesmenit Kosta Trebicka u shkaktua si pasojë e aksidentit automobilistik që u shënua me 12 shtator të këtij viti, në aksin rrugor Voskopojë-Lekas. Të paktën në këtë përfundim kanë arritur ekspertët, të cilët prej kaq kohësh u morën me kontrollin autoteknik të automjetit me të cilin udhëtonte viktima. Burime zyrtare nga Prokuroria e Korçës, bëjnë të ditur se dje ekspertët përkatës dorëzuan akt-ekspertizën përfundimtare pranë këtij institucioni. Sipas hetuesve të çështjes, konkluzionet përfundimtare të ekspertimit autoteknik të makinës "Nisan-Patrol" në pronësi të Trebickës, janë të ngjashme me ato të ekspertit amerikan, Kevin Teter. E vetmja gjë që i shtohet kontrollit autoteknik të automjetit është fakti se ekspertët shqiptarë kanë përcaktuar shpejtësinë e tij, e cila pohohet të ketë qenë 30 deri në 40 kilometra në orë.
KONTROLLI AUTOTEKNIK
Ndërkohë që Prokuroria e Korçës vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes në të cilën humbi jetën dëshmitari kyç i tragjedisë së Gërdecit, ekspertët shqiptarë në Juglindje kanë dorëzuar në organin hetimor të këtij rrethi akt-ekspertizën mbi kontrollin autoteknik të makinës në pronësi të tij. Mësohet se specialistët e kësaj fushe kanë kryer matjet dhe përllogaritjet e tyre, duke dhënë dhe një version për sa i përket shpejtësisë me të cilën lëvizte makina pak para ngjarjes fatale. Referuar akt-ekspertizës në fjalë, rezulton se shpejtësia e automjetit ka qenë e vogël dhe se varion nga 30 deri në 40 kilometra në orë. Ndryshe nga eksperti amerikan, që e ka lënë enigmatike shpejtësinë duke mos u shprehur për të, ekspertët e aksidenteve automobilistike në Juglindje e kanë përllogaritur atë. Sipas tyre, ndonëse shpejtësia e mjetit ka qenë shumë e ulët, nuk është mundur të shmanget aksidenti dhe vdekja e drejtuesit të mjetit, Kosta Trebicka që po udhëtonte në të. Gjithashtu, në akt-ekspertizë thuhet se manovrimi i menjëhershëm i makinës me një lëvizje të shpejtë të timonit në krahun e majtë ka ardhur si pasojë e një elementi të jashtëm, që mesa duket i ka prerë rrugën makinës së Trebickës në segmentin rural Voskopojë-Lekas. Madje ekspertët janë të mendimit se mund të ketë qenë qeni i biznesmenit që t'i ketë prerë rrugën dhe që e ka detyruar atë të bëj një manovrim të shpejtë, duke prerë timonin majtas si dhe duke provokuar dhe saltot e mjetit në ajër. Edhe specialistët shqiptarë kanë provuar shkencërisht se viktima është zënë poshtë nga makina, gjë e cila e ka çuar atë drejt vdekjes së sigurt.
HETIMET
Ndonëse hipotezat dhe dyshimet për vdekjen tragjike të biznesmenit Kosta Trebicka kanë qenë të shumta, duket se ngjarja më misterioze e këtij viti në Shqipëri nuk është e tillë për ekspertët shqiptarë autoteknikë, të cilët janë të sigurt se Kosta Trebicka vdiq në një aksident fatal dhe nuk bëhet fjalë për vrasje. Burimet të besueshme nga Prokuroria e Korçës, pohojnë se ekspertët autoteknikë nuk saktësojnë mënyrën se si mjeti ka mbetur i ndezur dhe në afolio, ky një argument i pasqaruar dhe nga eksperti amerikan, Kevin Teter. Tashmë organi hetimor në Juglindje të vendit tonë është duke përpiluar konkluzionet përfundimtare të hetimit.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›