E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, KRRT jep OK për banesat sociale

Nga Ermelinda Hoxhaj
KKRT miraton projektet për ndërtimin e banesave sociale për të pastrehët në ish-Uzinën e Fonder-Mek në Shkozë. Pas përfundimit të ndërtimit do të fillojë përzgjedhja e qytetarëve, të cilët do të trajtohen me strehim. 

TIRANE-Mbledhja e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Tiranës nga 70 kërkesat e miratuara, 24 ishin projekte publike të Bashkisë, ku më kryesori prej tyre ishte miratimi për ndërtimin e banesave sociale për të pastrehët në ish-Uzinën e Fonder-Mek në Shkozë. Ndërkohë, vendime të tjera të rëndësishme ishin edhe projektet për ndërhyrjet në pesë blloqe banimi, investime të cilat do të zhvillohen gjatë vitit 2009. Disa nga blloqet e banimit ku do ndërhyhet janë: Blloku nr.59 (kufizuar nga bulevardi "Bajram Curri" dhe rruga "Ali Demi"), Blloku nr.79 (kufizuar nga bulevardi "Bajram Curri" - rruga e Kavajës - rruga "Irfan Tomini" dhe Unaza e Re), Blloku nr.63 (kufizuar nga bulevardi "Bajram Curri" - rruga "Irfan Tomini"- rruga "Sulejman Delvina" dhe rruga që lidh "Komunën e Parisit" me rrugën "Irfan Tomini"), Blloku nr.51 (kufizuar nga rrugët "Mine Peza" - "Don Bosko" - "Jordan Misja" dhe rruga që kalon pranë godinës "Almak"). Gjithashtu një tjetër projekt i rëndësishëm është edhe miratimi i fazës së parë për projektin e Liqenit, ku do të bëhet asfaltimi i rrugëve të brendshme, do vendosen tabela orientuese, si dhe do të investohet në ndriçimin e parkut. Ndërkohë, një pjesë tjetër interesante e projektit është dhe pastrimi i ujit të Liqenit Artificial, pasi është shumë i ndotur për shkak të ujërave të zeza që derdhen në të. Ndërsa për banesat sociale është hapur drita jeshile për ndërtimin e tyre, pasi miratimi nga KRRT-ja shënon edhe hapin e fundit të këtyre banesave. Momentalisht, ky është një ndër projektet më të rëndësishme për të pastrehët që ka Bashkia e Tiranës. "Ndërtimi i banesave për qëllim social" financohet nga kredia e Bankës për Zhvillim të Këshillit të Europës (CEB) dhe buxheti i Bashkisë. Ky projekt synon të adresojë problemin e strehimit të Tiranës dhe pritet të krijojë zgjidhje nëpërmjet ndërtimit me kredi të 350 banesave sociale me qira në Shkozë. Pas përfundimit të ndërtimit të këtyre banesave do të fillojë përzgjedhja paraprake e qytetarëve, të cilët do të trajtohen me strehim dhe lista emërore e tyre do t'i kalohet për shqyrtim e miratim Këshillit Bashkiak.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›