E Diel, 1 Nëntor 2026

Ilir Meta: Nesër, i mundshëm një takim i dytë Berisha-Rama, të hënën zgjedhim presidentin

09-06-2012 / Gazeta 55

Aleati i demokratëve në qeverisje, kreu i LSI-së, Ilir Meta deklaroi sot se duhet të zhvillohet edhe një takim i dytë mes liderëve të partive kryesore në vend, Berishës e Ramës, me qëllim arritjen e dakordësimit për një konsensus në zgjedhjen e presidentit. Meta ritheksoi vendosmërinë e mazhorancës, për pasur një moment të dytë pozitiv, pas djegies së tre raundeve. “Përpjekjet për të gjetur një konsensus sa më të gjerë me opozitën nuk do të reshtin, por do të vazhdojnë. Dua të theksoj seriozitetin dhe vendosmërinë që kjo mazhorancë ka pasur për konsensusin që në fillim e procesit dhe kandidatura e Zaganjorit ishte në funksion të saj. Përpjekjet për konsensus që kanë qenë për gati 2 javë tashmë lanë të limituara për shkak të kohës, përpjekjet do të jenë intensive sot dhe nesër për arritjen e konsensusit, për ti dhënë fund kapriçiove dhe për të fituar një moment të dytë pas djegies së tre raundeve. Ndaj jemi për një takim të një niveli më të lartë Berisha- Rama që brenda 48 orëve të zgjidhim këtë çështje”- tha ai. Gjithsesi ai shprehet optimist për një rezultat pozitiv, madje duke u shprehur optimist për zgjedhjen e Presidentit që të hënën. “Jemi në një moment reflektimi, emra ka dhe sigurisht që vendi do ketë shpejt një zgjidhje për çështjen, pse jo që kjo të bëhet fakt i kryer seancën e së hënës”- u shpreh Meta. Kreu i LSI-së ka lënë të hapur edhe rrugën për daljen në skenë të kandidaturave politike, duke u shprehur se partia e tij nuk ka përjashtuar dhe as paragjykon askënd. “Nuk janë të përjashtuar emrat politikë për arsye të politikanëve të paragjykuar, por konflikti politik që kemi pasur kohët e fundit na ka bërë të ofrojmë emra nga fusha të tjera. LSI nuk ka përjashtuar asnjë emër, nuk paragjykon askënd, është e angazhuar për një në proces transparent dhe konsensual”- tha më tej ai.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›