Inaugurohet tuneli i Kërrabës, Berisha: Kjo, ditë historike për të gjithë shqiptarët – vjen në 134 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit

-- Tirana dhe Elbasani, tashmë shumë pranë njëri-tjetrit, rrëzohet "perdja" që i ndante - punimet u realizuan në më pak se 11 muaj
-- Berisha, Ramës: Mos i pengo deputetët e tu të vizitojnë Tunelin dhe autostradën, siç po bën me rrugën e kombit
UPDATE- Pasi "bashkoi" shqiptarët në të dy anët e kufirit, kryeministri Sali Berisha “rrëzoi” edhe murin që ndante dhe largonte me më shumë se 1 orë, Tiranën dhe Elbasanin që prej themelimit të të dy qyteteve. Përfundimi i punimeve në tunelin e Kërrabës me gjatësi 2.4 km, 6 muaj përpara afatit në kontratë i jep përparësi qarkullimit të shpejtë të automjeteve në rrugën e re, ndërsa aktualisht punimet po avancojnë në trasenë e autostradës e cila në masën mbi 80% është rrugë e re.
Në një atmosferë festive, kryeministri Berisha, Ministri Olldashi, ministra të tjerë të kabinetit qeveritar, deputetë të qarkut të Tiranës dhe Elbasanit, drejtues të pushtetit lokal, përfaqësues të kompanisë AKTOR si dhe qindra qytetarë elbasanas dhe banorë të zonave përreth, asistuan në shfaqjen e dritës në anën tjetër të tunelit, dhe nisjen e një faze të re ndërtimi, në vazhdimin e autostradës Tiranë-Elbasan. Kreu i qeverisë tha se tuneli i Kërrabës përbën një nga segmentet më të rëndësishme të gjithë infrastrukturës së vendit si nyjë lidhëse e Korridorit 8.
“Kjo, është një ditë historike për qytetarët e Tiranës, Elbasanit e mbarë Shqipërisë, urimet më të përzemërta dhe gëzuar ditën e sotme, ditë në të cilën Tirana dhe Elbasani bashkohen në dritën e këtij tuneli. Tuneli që sapo inauguruam përbën një nga segmentet më të rëndësishme të gjithë infrastrukturës së vendit. Tuneli dhe autostrada janë segmentet më të rëndësishëm të Korridorit 8, është segmenti jugor që afron së paku një orë Shkupin me Tiranën. Tuneli ka qenë një ëndërr fisnike e shqiptarëve dhe në më pak se 11 muaj u bë realitet, në më pak se 11 muaj bashkoi Elbasanin me kryeqytetin e vendit. Ky tunel do krijojë një nga tregjet më të mëdha të Ballkanit dhe më gjerë. Pas rrugës së kombit tuneli i Kërrabës dhe rruga përbëjnë veprën më madhore në Shqipëri. Gjysmën e parë të vitit 2013 Tirana dhe Elbasani do bashkohen përjetësisht mes tyre. Vendimi për këtë rrugë ishte një nga vendimet më të mëdha të Qeverisë, por ishte dhe vendimi për të nderuar shqiptarët në 100 vjet shtet. Tunelin e bashkuam në prag të 134 vjetorit të kryengjarjes së historisë sonë kombëtare të bashkimit të shqiptarëve rreth idealit të tyre në lidhjen e Prizrenit. Kohërat kanë qenë për Europën dhe më gjerë ndër më të vështirat në 80 vitet e fundit, por qeveria dhe reformat e saj mbështetja që ju u bëtë atyre, kanë bërë të mundur ndërtime, të cilat në shumë raste dalin jashtë imagjinatës së qytetarëve shqiptare. Do t’ju lexoj këtu si një akt nderimi për çdo qytetar shqiptare mesazhin e një zonje këtë mëngjes, sesi e ndien ajo gëzimin e kësaj dite. “Legjendat për njerëzit që përshkojnë malet, po bëhen një realitet i zakonshme. Ditë emocionuese, kam edhe vajzën inxhiniere tek Tuneli”. Unë edhe në emrin tuaj dua t’i përcjell kësaj zonje urimet më të përzemërta kënaqësinë time, që e ndaj me të gëzimin e kësaj dite. Të përgëzoj vajzën e saj për punë e shkëlqyer dhe me përkushtim që ka bërë dhe bën në këtë autostradë jetike për zhvillime e Shqipërisë dhe shqiptarëve”- u shpreh kryeministri Berisha.
Shefi i ekzekutivit i ka bërë thirrje kryesocialistit Edi Rama tu kërkojë ndjesë qytetarëve për votën kundër ndaj buxhetit për tunelin e Kërrabës. “Autostrada, tuneli u bënë të mundura nga buxheti i vitin 2011 dhe në vazhdim. Vite të cilat janë karakterizuar nga vështirësitë më të mëdha në Rajon dhe në Botë. Pro vështirësia më e madhe ishte nata e miratimit të buxheti, natë në të cilin deputetët e opozitës e mbajtën parlamenti deri ne 5 të mëngjesit, vetëm e vetëm që të bllokonim fondet e Tunelit. Unë jam këtu për t’i bërë thirrje kryetarit të Partisë Socialiste, mos i pengo deputetët e tu të vizitojnë Tunelin dhe autostradën, siç po bën me rrugën e kombit, së dyti kërkojuni të falur publikisht qytetarëve të Elbasanit, Tiranës, Gramshit, Librazhdit, Korçës, Pogradecit, Bilishtit dhe Kolonjës, sepse vota juaj kundër fondeve të Tunelit nxin dhe do të nxij si zift i vërtet në analet dhe arkivat e Parlamentit shqiptar, ndaj dhe kërkoni ndjesë”- tha kryeministri.
Berisha falenderoi me mirënjohje të gjithë punonjësit dhe drejtuesit e firmës greke AKTOR.SA, të cilët në një kohë rekord realizuan një vepër të përmasave të tilla që i bashkohet një serie veprash publike, të realizuara në vitin jubilar të 100 vjetorit të pavarësisë.
Rruga Tiranë-Elbasan, e cilësuar si segmenti më nevralgjik, i Korridorit 8, ka si pjesën më të rëndësishme të saj, Tunelin e Kërrabës, punimet për të cilin shënuan vlerën e 101 milion dollarëve, investim i buxhetit të shtetit dhe Bankës Islamike për Zhvillim.
Tuneli me gjatësi 2,4 kilometra, ka dy tuba me nga dy korsi secila, me gjerësi 8 metra dhe lartësi 5 metra për secilin tunel. Punimet cilësore, të realizuara sipas parametrave më bashkohore, e rendisin këtë vepër me dinjitet përkrah infrastrukturave më moderne evropiane. Tuneli ndodhet rreth 13 km larg qytetit të Tiranës dhe rreth 10 km larg qytetit te Elbasanit. Në total janë gërmuar 470,000 m3 shkëmb dhe janë realizuar 60% e punimeve fizike. Kanë filluar punimet e metrave të parë të betonimit të Tunelit, për të vazhduar më pas me punimet elektro-mekanike të tij. Për hapjen e tij u deshën 9 muaj punë intensive 24 orëshe dhe një angazhim maksimal i Kontraktorit dhe Supervizorit të Punimeve. Tuneli i Kërrabës, së bashku me akset rrugore para dhe pas tij, respektivisht me gjatësi 13 kilometra dhe 11.5 kilometra i japin jetë një rrugë të re, ndër më të rëndësishmet, në vend, e cila shkurton distancën mes Tiranës dhe Elbasanit në 29.7 kilometra, duke e përshkruar atë vetëm në 18 minuta.
...