“Presidenti”, asnjë rezultat nga opozita – Edvini është i vendosur të “djegë” çdo kandidaturë

Kur pritej që kryesia e Partisë Socialiste të dilte me një apo disa emra kandidatësh të mundshëm për zgjedhjen e presidentit, sërish opozita është në fazë apatike e okupuar nga paaftësia për tu bërë pjesë e garë transparente
Kryesia e Partisë Socialiste s’arriti as sot në konkluzione pozitive, përsa i takon propozimit të një kandidature të saj, pas kontestimit që i bëri gjyqtarit Xhezair Zaganjori, i cili dje në mesditë u tërhoq nga gara. Për rreth 2 orë e gjysmë bisedime Kryesia e PS është shprehur për një cikël të ri negociatash mazhorancë-opozitë, edhe pse takimet mes të mandatuarve dhe kryetarëve të partive, u konsumuan një javë më parë. Bashkim Fino, anëtar i Kryesisë deklaroi për mediat se PS do të ti bëjë ftesë kreut të grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi për uljen sërish në tryezën e dialogut, e cila do të komunikohet nga kryetari i grupit të PS-së Gramoz Ruci. Ndërkaq ai bëri gjithashtu të ditur se nuk është diskutuar asnjë emër, përfshi këtu edhe atë të vetë-ofruarit për President Fatos Nano.
Ndërkohë burimet brenda mazhorancës konfirmojnë mundësinë e një takimi mes kryeministrit Berisha dhe aleatëve të PD lidhur me vijueshmërinë e procesit për presidentin e ri.
Një ditë më parë u “dogj” pa votim edhe raundi i tretë për presidentin, ndërkohë që, Konferenca e Kryetarëve caktoi ditën e hënë si datën e mbajtes së raundit të katërt të votimit për kreun e ri të shtetit. Në mesditë, u tërhoq kandidati i mazhorancës për president, Xhezair Zaganjori, duke e motivuar largimin me mungesën e besimit nga ana e opozitës dhe paragjykimin ndaj tij. Dje në deklaratën pas tërheqjes së Zaganjorit, Rama deklaroi se me këtë akt hapet rruga e konsensusit. Nga ana tjetër PD përmes zëdhënëses së saj akuzoi kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama se me qëndrimin e tij ndaj kandidaturës propozuar nga mazhoranca, Xhezair Zaganjori dëshmoi se synimi i tij është bllokimi i procesit dhe i statusit kandidat.