E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ilir Meta dhe 21 Janari i dytë

Share

Nga Mero Baze

Si për të imituar janarin e shkuar, fill pas datës 11 janar, Ilir Meta u rikthye në vëmendje të opinionit publik shqiptar duke provokuar. Janarin e shkuar në datën 11 u shfaq në video duke thyer çdo rekord historik të një zyrtari hajdut, në datën 12 u shfaq tek Fevziu duke theksuar se nuk do japë kurrë dorëheqje dhe se nuk i trembet videos, në datën 13 dha dorëheqje, në datën 14 vazhdoi të akuzonte opozitën se i ka sajuar videon e kështu me radhë derisa në datën 21 janar njerëzit u derdhën në rrugë të revoltuar dhe detyruan Sali Berishën dhe Lulëzim Bashën të vrasin për shkak të Ilir Metës. Një vit më pas Ilir Meta po e ringre skenarin e janarit që shkoi. Sërish në datë 11 del Berisha në TV e tij dhe akuzon prokurorinë se ka manipuluar provat, në datë 12 Ilir Meta thërret në shtëpi Sali Berishën për të terrorizuar Gjykatën dhe ai i shkon i bindur dhe kokulur, më datë 13 me rastin e Vitit të Ri serb, Berisha thërret gazetarët e qeverisë në pritje dhe u shpjegon se ishte kënaqur me verën e Ilir Metës, në datë 14 dy vrasësit e 21 Janarit, Sali Berisha dhe Lulëzim Basha, së bashku me shkaktarin e revoltës që çoi në vrasje, Ilir Meta, ulen publikisht në kafe Rogner për të dëshmuar se aleanca e tyre do të vazhdojë derisa drejtësia të gjunjëzohet.

E gjitha kjo ka ngritur shumë revoltën në opinion publik. Një vit pas 21 Janarit, unë po shikoj të njëjtën ndjenjë revolte dhe zemërimi tek njerëzit, siç e kishin një vit më parë, kur përplaseshin me arrogancën për të mos pranuar faktet flagrante që dëshmonin fytyrën e një pushteti të kapur mat duke vjedhur. Sot, këto ditë, këtë javë, kam ndeshur të njëjtën revoltë dhe urrejtje që njerëzit kanë demonstruar një vit më parë ndaj këtij pushteti.

Kësaj situate i shtohet dhe një element i ri, fakti që katër të vrarët e 21 janarit janë pjesa më e poshtëruar prej drejtësisë deri më sot. Vrasësit e tyre jo vetëm që nuk janë gjetur dhe arrestuar, por as urdhëruesit e vrasjeve, Sali Berisha dhe Lulëzim Basha, nuk janë pyetur ende. Një nga familjarët e viktimave, babai i Hekuran Dedes ka sjellë dëshmi edhe më rrëqethëse. Ai ka deklaruar se Sali Berisha ka dashur të blejë gjakun me lek, dhe më keq akoma, ka dashur të orientojë familjen drejt vrasjes në formë gjakmarrje të një oficeri të Gardës, që të shpëtonte përgjegjësia nga Berisha. Ai oficer mund të ketë qenë Arjani, Ndreu, Besniku, Agimi, apo kushdo tjetër, mjafton që të bëhej kurban për Sali Berishën dhe ky i fundit të lirohej nga gjaku që kish derdhë më 21 Janar. Skena që përshkruan babai i Hekuran Dedës është poshtëruese dhe e lig, pasi tregon se Sali Berisha është personalisht i shqetësuar si vrasës dhe është i gatshëm të shesë çdo roje a badigard të tij për të shpëtuar veten ose fëmijët e tij nga gjaku i pamarrë i atyre që ka vrarë.

I gjithë ky tension që rritet dita- ditës nga gjestet provokative të Sali Berishës dhe Ilir Metës, mund të kthehet në një eksploziv në datën 16 janar kur Gjykata e Lartë e Shqipërisë, sipas gjithë pritshmërisë së opinionit publik, do të lirojë Ilir Metën nga akuza e prokurorisë dhe ai do të rikthehet në qeveri pa u dënuar, për të rikuperuar kohën që nuk ka mundur të mbledhë dot aq shumë lek sa çmblidhte kur ishte vetë ministër.

Kjo e gjitha mund ta çojë Shqipërinë në një revoltë re, në një revoltë që tejkalon realisht fuqinë e opozitës zyrtare. Ti bësh karshillëk opinionit publik, duke u shfaqur bashkë si të pandëshkueshëm- kryeministri që ka mbi supe një histori të tërë të rrënimit të demokracisë, ministri i akuzuar për 220 milionë euro abuzime, për të cilat shmang gjykimin në themel dhe shpëton me procedurë dhe më pas pasuron biografin e tij me katër vrasje politike dhe një rrëmbim mandati, dhe ish- zëvendëskryeministri që u shfaq me zë dhe figurë duke bërë pazare me miliona euro për pesë minuta, do të thotë ti vësh zjarrin zemërimit popullor.

Trupi gjykues që pritet të lirojë nga akuzat Ilir Metën të hënën, duhet ta ketë të qartë se 16 janari është dita kur shoqëria shqiptare vendos edhe për fatin e tyre, nëse ata do të bëhen shkak me vendimin e tyre që Shqipëria të shkojë drejt krizave ekstreme. Babai i Hekuran Dedës nuk ia ka harruar Sali Berishës përpjekjen për blerje të gjakut me lek dhe shitje të gardistëve, ashtu siç nuk ia kish harruar siç dukej nga intervista as Ilir Metës fjalën kokëpalarë për djalin e tij të vrarë. As njerëzit e Aleks Nikës nuk ia kanë harruar Sali Berishës përpjekjen për të manipuluar me vdekjen e tij, ndërkohë që nga hetimet del se një bodigard i Berishës ka qëlluar mbi të. As fëmijët e Ziver Veizit nuk ia falin Sali Berishës luftën klasore pas vrasjes së babait të tyre duke e terrorizuar Anën 11 vjeçare në shkollë si vajzë armiku. As djali i mbetur i Faik Myrtajt nuk ia fal Sali Berishës jo vetëm vrasjen e babait, por dhe ikjen prej dëshpërimit të vëllait të tij. Por që zemërimi i tyre të ketë kuptim dhe të respektohet, ne si shoqëri nuk duhet tia falim Sali Berishës përpjekjen për të riprovokuar një 21 Janar të dytë, përpjekjen për të provokuar deri në palcë shqiptarët me shpresë që ata të mos reagojnë duke pasur parasysh 21 Janarin.

Sali Berisha dhe Ilir Meta kërkojnë doemos të zhvlerësojnë revoltën e shqiptarëve, kërkojnë doemos të vendosin një standard përuljeje në politikën shqiptare, kërkojnë doemos të thonë, provojeni dhe një herë po ua mbajti. U duhet doemos të binden se nervi i shqiptarëve u vra dhe ata ulën kokën para pushtetit të tyre. Ata po përpiqen me çdo kusht të nxisin një revoltë të ngjashme, bile më të madhe se ajo para 21 Janarit të vitit të shkuar, me shpresë që shoqëria të mos protestojë si më 21 Janar dhe ata të qetësohen se tani këtë popull e kanë tredhur. Ata duan një 21 Janar të ri, por pa protestë, duan të thonë se ajo që ndodhi një vit më parë ishte artificiale, pasi sivjet kishte më shumë arsye për protestë dhe nuk ndodhi. Ata duan të rifyejnë të vrarët dhe të riposhtërojnë të gjallët. Duan të na thonë se e meritojmë ti durojmë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›