E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letër e hapur poetit Arben Duka

***


 

Liri Jaho Gjoliku

Më datën 27 dhjetor 2011 në gazetën Shekulli, lexova vargjet e Arben Dukës Bisedë me Liri Jaho Gjolikun… U habita dhe ngela shumë e emocionuar që një poet si ju Arben, që më kujton poezitë e famshme të Pushkinit, Lermotovit e të Jeseninit, kishte shkruar edhe për mua. Arben, me rubrikën tuaj në Shekulli, ju po denonconi me guxim këtë periudhë antishqiptare e antipatriotike, të mbushur me falsifikime e servilizëm. Unë nuk të njoha personalisht në sistemin socialist. Kisha dëgjuar tekstet që bëje për festivalet e këngës dhe ato më pëlqenin. Të pashë nga afër rastësisht kur mercenarët e vitit 1997 të kishin zënë dhe donin të të rrëmbenin në makinë në Rrugën e Kavajës. Atë ditë, i dashur Arben, atë ditë edhe unë kisha shkuar në miting, sepse isha zv.kryetare e shoqatës së Familjeve të DËSHMORËVE TË KOMBIT. U ndodha në qendër ku pashë se si rriheshin shoqet dhe shokët e mi, midis tyre edhe zv.kryetaren tjetër të shoqatës, mbesën e Xhorxh Martinit, mjeke. Burrit të saj i kishin thyer dhëmbët, atë e kishin rrahur barbarisht. Krahu im i majtë, i dashur poet, ka dy shenja: njëra është ajo që kam marrë në këtë miting dhe tjetra është nga fashistët italianë kur ata dhe një grup ballistësh erdhën të arrestonin babanë tim. Bajoneta e njërit prej tyre më çau bërrylin.

I nderuar poet! Gjatë kohës që isha në Francë, nipi im më çoi një ditë në vendin ku Avni Rustemi shtriu përtokë tradhtarin Esat Pasha. Lexova thëniet e Avni Rustemit dhënë gjyqtarit:

Duhet të them, – do të theksonte heroi, – para se gjithash që, si person nuk kam pasur kurrë pasoja nga veprimet e Esat Pashës. Por si patriot shqiptar, kam kundër tij shkaqe për urrejtje të thellë. Qysh prej 1912, kur pas shekujsh robërie, Shqipëria , më në fund , u deklarua e pavarur, Esat Pasha, në vend që të përforconte ndjenjat kombëtare shqiptare, i shembi duke proklamuar një qeveri shqiptare në Shqipëri të Mesme, si rezultat e së cilës vepër ngjau shkatërrimi i qeverisë së pavarur te Vlorës. Në pranverën e 1914-s shqiptarët patriotë deshën me e çkoqë një pjesë të Shqipërisë së jugut nga dominacioni grek dhe formuan trupa vullnetare për luftë. U rreshtova edhe unë midis tyre, por nuk mora pjesë në asnjë ndeshje. Nuk vonuam të konstatojmë se Esat Pasha, ministër i luftës në qeverinë e princ Widit, në vend që të na përkrahte neve, organizonte e përkrahte banda të çrregullta malësoresh që luftonin kundër nesh… Të mbetur mes dy zjarreve, vullnetarët patriotë nuk munden të vazhdonin luftën. Për shkak të këtyre ngjarjeve, Esat Pasha nisi të akuzohej prej popullit, por u mbrojt dhe u shpëtua prej trupave italiane. Në mbarim të 1914-s mësova që Esat Pasha kishte masakruar në Shqipëri të Mesme një shumicë patriotësh shqiptarë, atëherë kur Shqipëria veriore ish nën pushtimin e malazezëve e serbeve. Masakrat, tregimin e ta cilave e kam dëgjuar nga goja e refugjatëve duke qarë, ishin vepra të bandave të organizuara dhe të pajisura drejtazi prej Esat Pashës. Ky ka vepruar kështu për të kënaqur ambicien e tij personale për pushtet, pse ish lidhur me të gjitha vendet radhë, duke ndjekur nevojat e çastit të interesit të vet. Ka nja katër ose pesë, muaj, pra që Esat Pasha është përpjekur të shembë qeverinë e pamvarur të Tiranës. Për të gjitha këto arësye, e konsiderova Esat Pashën si autorin kryesor të mjerimeve të vendit tim dhe ushqeva për të një urrejtje të thellë (Arkivi F.A.R.D.4Dok.Nr.IV/841)

Po citoj shkurt disa pjesë nga akt-akuza, e përgatitur nga prokurori i Parisit për Avni Rustemin. Përmenden në të dëshmitarë e dokumente lidhur me lëvizjet e studentit në Paris para vrasjes. Prokurori arrin në konkluzionin se Avni Rustemi e kishte kryer vrasjen me paramendim. Midis të tjerave, në akt-akuzë, theksohej:

Qysh nga shëtitja e parë e tij në Paris, i akuzuari i lutet shokut të tij ti tregojë ku mund të blinte një revolver dhe një stand, ku mund të stërvitej në qitje. Rustemi nuk ka pasur të kaluar gjyqësore (Arkivi F.A.R.D.4Dok.NrIV/842)

I dashur Arben! U habita me mbështetjen e madhe që i dha populli shqiptar në atë kohë nga jugu e veriu Avni Rustemit. Me qindra telegrame e mitingje ku i kërkohet Gjykatës së Parisit dhe Ministrisë së Drejtësisë së Francës që Avni Rustemi të lirohej, sepse vrau një tradhtar. Në arkiv gjenden pa fund telegrame: Telegram i popullit të Vlorës, 23 Shtator 1920, telegram i popullit të Gjirokastrës 21 Tetor 1920, telegram i popullit të Elbasanit, telegram i popullit të Kolonjës, mesazh i shoqërisë Vatra drejtuar dhomës së deputeteve të Francës, telegram i Federatës Panshqiptare në Amerikë… Të gjitha këto telegrame kërkonin lirimin e Avni Rustemit.

Dhe Gjykata e Apelit e Parisit i dha Avni Rustemit pafajësi, duke theksuar se ai kishte vrarë një tradhtar te kombit të tij. Erdhi Avni Rustemi në Shqipëri, por këtë nuk do ta shikonte me entuziazëm të gjithë. Në mënyrë të veçantë Ahmet Zogu i ardhur në pushtet me bajonetat e serbëve. Dhe ja njoftimi i gazetës Ura e Shkumbimit me datën 20 Prill 1920:

Ditë e zezë, Avni Rustemi, heroi i kombit shqiptar, zemra e nacionalizmës së vendit tonë, prijësi i idealistëve të Arbërisë fatkeqe, shtylla e demokracisë, lulja e djalërisë shqiptare, përkrahësi i nxehtë i bujkut të mjeruar të këtij vendi, bie dëshmor prej dorës tradhëtore. (Gazeta Ura e Shkumbimit Elbasan, viti I,30.IV 1924).

Ndërsa në telegramin e një grupi të rinjsh nga Vlora me Halim Xhelon e Riza Ceroven në krye, drejtuar Avni Rustemit me rastin e plagosjes, së tij , do të theksohej. Goditja e trupit tënd është pika e nisjes së një periudhe që do të përtërije gjallërinë e nacionalizmës. Plumbi feudal ka goditur idealin shqiptar (Gazeta Politika, Vlore 20 prill 1924)

Është shumë domethënëse Protesta e Asamblistëve të Shkodrës drejtuar Kryesisë së Asamblesë në Tiranë, me anën e së cilës kërkohet të merren masa në Tiranë kundër veprave çnjerëzore të Ahmet Zogut. Midis të tjerave në këtë protestë theksohej: Ky plumb qëllon jo vetëm Avniun tonë, shpëtimtarin e Atdheut, por shtron përdhe nderin e gjithë përfaqësuesve të Kombit. Dhe në fund protesta mbyllej: Koha nuk pret më. Lipset që tu vihet mburojë këtyre ngjarjeve pse vijimi i tyre na çon shtetin në greminë. Gazeta Politika, Vlorë 22 Prill 1924

Ja çfarë thuhet në shkresën e konsullit italian në Vlorë drejtuar legatës italiane në Durrës mbi manifestimin antishqiptar të popullit të Vlorës, me rastin e varrimit të Avni Rustemit. 3 Maj 1924 nënshkruar Meloni (është italisht – Arkivi Qendror Historik R.P.SH.F.5.D2.Dok.1102/I,original)

Varrimi i Avni Rustemit mori fund në orën 18. Turma u nxit nga oratorë të ndryshëm për të marre armët kundër qeverisë, përgjegjëse morale për krimin. Gjate disa fjalimeve turma qante, gjë që tregon sa simpati gëzonte Avni Rustemi. Oratorët më të vendosur akuzuan publikisht Ahmet Bej Zogollin si bashkëpunues në vrasje.

I dashur Arben!

Babai im, siç e dini, u dënua me vdekje nga Ahmet Zogu pas dështimit të kryengritjes së Fierit. Mori pjesë në ngritjen e flamurit në 1912-n, luftoi bashkë me gjyshin kundër andartëve grekë më 1914, ku u plagosën të dy. Ne u rritëm me ndjenja patriotike si e gjithë Labëria dhe Shqipëria në jug e veri. E di pse e theksoj këtë, i nderuar poet? Sepse sot, pikërisht këtë ndjenjë të theksuar patriotike që kanë pasur të parët tanë mundohen ta zbehin, mbeturinat e kuislingëve, mbeturinat e ballisto-zogistëve dhe komunistët antikomunistë. Ishte e internuar nëna ime me katër fëmijë në Krujë, nga i vetëshpalluri mbret, pasi babai im u arratis nga burgu. Ajo kujtonte vazhdimisht dy oficerë antizogistë: njeri ishte nga Kuçi i Kurveleshit, Ismail Haki Kuçi dhe tjetri ishte lindur ne Gjakovë, antizogist, luftëtar i shquar

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›