E Shtunë, 31 Tetor 2026

Është ekonomia, o budalla

NDRIÇIM KULLA

Kriza e borxhit dhe rritja e munguar ekonomike janë dy kambanat që po buçasin më fort në të katër anët e Europës. Përballë këtij shqetësimi, po të duam edhe ankthi të ligjshëm, paniku dhe pesimizmi, janë dy nocionet ose proceset që mohohen më shumë në të katër anët e Europës, si cilësorët e mundshëm të zgjidhjes. Ky është imperativi i çdo ligjërate politike, të çdo lloj krahu, në pushtet ose jo, që po diktohet këto ditë. Madje, është arritur deri aty sa të sakrifikohet edhe demokracia ose të pezullohet ajo, duke u ofruar vendeve në krizë qeveri teknike (Greqi, Itali), pikërisht për të dëshmuar se politika duhet të qëndrojë larg qasjeve të zgjidhjes ekonomike të krizës, për arsye të fillit të pashmangshëm që e lidh atë me elektoratin dhe diktimit të politikave që vijnë nga frika apo droja e humbjes së këtij elektorati. E gjitha kjo, në vendet me krizë të thellë e me urgjencën e reformave që kërkojnë sakrifica, gjak dhe lot.
Ja, për tiu konturuar një skenari të tillë, që duket se do të kërkojë reforma të tilla edhe në të gjitha vendet e Europës, pavarësisht gjendjes ose jo në krizë, kërkohet një maturi e pjekuri gati e tepruar nga klasa politike, sidomos në një periudhë të tillë. Askush nuk e mohon debatin dhe përballjen politike, por për herë të parë, jo në kurriz të dëmtimit të ekonomisë. Kjo, përtej se e rrezikshme, sot më shumë se kurrë është edhe antikombëtare. Po njëlloj, askush nuk mohon se transparenca dhe mosfshehja e gjendjes është një rrezik, por kjo nuk përbën licencë për ta hamendësuar një gjë të tillë orë e çast, në çdo kundërpërgjigje, vend e pa vend. Një lehtësi e tillë e papërballueshme e çdo opozite jo të përgjegjshme, merr përmasat e një rëndese të papërmbajtshme për vendin dhe ekonominë e tij. Ia ndrydh perspektivat akoma më shumë, ia frenon shpresat reale dhe së fundi ia pret krahët kurajës dhe qëndresës për të lugtuar që të dalë sa më i fortë nga kjo gjendje. Veçanërisht ana psikologjike dhe emocionale, në situata të tilla, luan rol më vendimtar edhe se sa një reformë e mirë ekonomike. Ndaj ia vlen të përmendet një sondazh (i kryer nga ipsos/reuters) i botuar një ditë më parë nga agjencia e famshme Rojters, sipas të cilit 3/4 e njerëzve të intervistuar në 24 vende të ndryshme të botës, pavarësisht rritjes me pikatore të ekonomisë globale, janë optimistë se viti 2012 do të jetë një vit më i mirë. Ka vende që këtë nivel e kanë fortësisht të lartë, edhe pse me probleme, si Franca (91%), por edhe Italia e Hungaria nuk bien poshtë, e që janë më pak optimistet, arrijnë nivele 45% dhe 56% në shkallaren e optimizmit.
Po si përballet politika jonë në kohezion e në të njëjtën gjatësi vale me qëndrimet europiane? Edhe një herë, si në çdo rast tjetër, duke vënë interesat e saj mbi interesat e ekonomisë së vendit. Edhe një herë, duke cicëruar për probleme shumë të thella, gjithëdebatuese e të vështira, siç janë rrugët për lehtësimin e problemit të borxhit, por, mbi të gjitha, për stimulimin e ekonomisë dhe rritjes ekonomike. Edhe njëherë, duke interpretuar atë pjesë që i intereson. Vërtet, si për të gjithë Europën, edhe për ne, organizmat ndërkombëtarë diktojnë kujdes në ruajtjen e nivelit të borxhit. Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Madje rrethi më i madh vicioz ku është futur ekonomia europiane është pikërisht gjetja e stimujve për të dalë nga recesioni ekonomik. Mirëpo, një gjë e tillë një pale nuk i intereson të përmendet, sepse atëherë, edhe në parashikimet më të zymta të po këtyre organizmave ndërkombëtarë ka vende në recesion (shumica dërrmuese), ka vende me rritje mesatare (Shqipëria hyn në këto vende, sipas parashikimeve më të këqija), dhe vetëm disa vende me rritje të mirë ekonomike (sipas buxhetit të parashikuar nga qeveria Shqipëria ka mundësi të ketë një rritje të mirë ekonomike deri 4%).
Kuptohet qartë se problemi ynë më i madh sot për sot nuk është borxhi, por stimulimi i rritjes ekonomike, përderisa buxheti konservator e ka bllokuar rritjen e tij. Atëherë kthehemi te shprehja e famshme e Klintonit: Është ekonomia, o budalla. Në këtë këndvështrim, sa flitet sot për ekonominë në vetvete, për atë që u intereson vërtet njerëzve dhe bizneseve, e sa për politikën dhe demagogjinë e saj mbi ekonominë. Kjo e dyta ka kohë që mbizotëron, e për më tepër po rrezikohet një thjeshtësim i problemeve të saj të debatueshme e të komplikuara me cicërima nëpër rrjete sociale, në një kohë kur duhet artikulim, konkretizim dhe formula të gjetura e të mirëshpjeguara për çdo rast. Edhe një herë, si gjithmonë, flitet në parime e koncepte të përgjithshme që shyjnë më në punë, si vetëm ne mund ta shpëtojmë dhe vetëm ata nuk mund ta shpëtojnë. Po pse, vallë, kjo i nevojitet debatit mbi ekonominë? Pse, vallë, a vlen një program parimesh e direktivash po nuk u shpjeguan dhe artikuluan gjerësisht dhe profesionalisht? Një gjë të tillë spo e shohim fare nga ana e opozitës. Ajo po zhytet përsëri në thjeshtësim dhe përgjithësim të programit të saj, kur në fakt nuk mungojnë edhe idetë e mira që mund të zhvillohen e përmirëson me bashkëpunim, por jo me demagogji politike. Ja një ide e tillë mund të qe ndoshta prioriteti mbi bujqësinë në këtë fazë të zhvillimit, që është një rezervë e jashtëzakonshme ende e pashfrytëzuar për rritjen e PBB të Shqipërisë, nisur nga mundësitë që ajo ka. Ka shembuj befasues në këtë drejtim të ekonomive të tilla që para 10-15 vitesh falimentuan (Argjentina), ose në prag të katastrofës ekonomike (Brazili), që kryesisht, falë resurseve të veta bujqësore e blegtorale ose koniunkturave të favorshme të tregjeve për këto produkte, arritën në një bum të paparë ekonomik duke arritur madje (Brazili) të saposhpallet fuqia e gjashtë ekonomike në botë. Edhe ato do ta shohin të përgjysmuar rritjen ekonomike këtë vit, për shkak të problemeve në Europë, por baza e tyre është solide.
Ndaj, qe një befasi e këndshme dhe besoj do të jetë frytdhënës angazhimi i qeverisë për të priorizuar, pas kaq vitesh, këtë sektor të ekonomisë shqiptare, që për koniunkturat e tregut mund të shfaqet po kaq shtytës sa dhe ai i mineraleve. Edhe opozita ka folur për këtë problem, por duke mbetur në ligjërim. Tani që kemi një plan konkret të qeverisë, duhet ta shpjegojmë, artikulojmë në detaje e përmirësojmë në instrumente këtë gjë. Kjo është detyrë parësore e kontributit ndaj vendit që mund të japë një forcë politike. Fitohet më shumë duke propozuar vizionin tënd ekonomik, nëse ekziston, sesa duke denigruar atë të tjetrit.
Nuk na duhen më cicërima, por platforma debatuese për të shpënë përpara një sektor kyç të Shqipërisë. Por, nga ana tjetër, edhe qeveria duhet të mundohet të mbledhë e të qartësojë sa më shumë detaje e mjete për ringjalljen e bujqësisë shqiptare nga të gjitha radhët e ekspertëve më të mirë të fushës. Do të qe mirë të shfrytëzoheshin edhe përvojat e ekonomive të ngjashme me tonën. E meqë Interneti sot është një instrument i fuqishëm në bashkëndarjen e njohjes dhe përvojës, do të qe e domosdoshme ngritja e një portali që të përditësohet nga ekspertët, për ti ndihmuar fermerët gjatë gjithë proceseve të tyre. Ka vend, p.sh. për ata që tashmë operojnë në treg, për ti ndihmuar me të dhënat online të bursave e tregjeve, ose me komente ekspertësh e organizmash ndërkombëtarë për këto trende. Nga informacione të tilla gëlojnë sajte të ndryshme ekonomike. Po kështu, mund të ndihmohen fermerët jo vetëm në aspektin e tregut, por edhe në atë financuar, e sidomos në mënyrën e organizimit dhe rritjen e cilësisë me metoda e makineri të posaçme. Edhe në këtë drejtim, përzgjedhja, publikimi dhe përditësimi i case study apo best practice të ndryshme, të ngjashme me gjendjen e bujqësisë dhe fermerëve tanë, do të qe një instrument shumë më efikas dhe i drejtpërdrejtë. Kjo është një përvojë europiane që ka dhënë shumë sukses dhe kërkon vetëm angazhim për t

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›