Ilir Meta drejt pajtimit

Kreu i Lëvizjes Socialiste të Shqipërisë, Ilir Meta, ka theksuar rëndësinë për të punuar për të ardhmen, në të cilën duhet pasqyruar vullneti qytetar për bashkim. Meta i ka bërë apel politikës shqiptare që të mos vazhdohet më me retorika boshe por të përqendrohen për të votuar 3 ligjet e kërkuar nga BE-ja, të cilat do t’i hapin rrugën Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat. “Ikën si shkuan këto 100 vite dhe sidomos, këto 22 vite.
Është e rëndësishme të fillojmë mbarë vitet që vijnë, duke reflektuar në të ardhmen vullnetin e qytetarëve shqiptarë për tu bashkuar, për të zgjidhur problemet e tyre, për ti dhënë fund politikave konfliktuale, dhe për ti dhënë fund bllokimeve artificiale”,- deklaroi Meta, gjatë një takimi në Patos me strukturat e LSI-së, ku kësaj force politike iu bashkëngjitën edhe 125 anëtarë të rinj.
Ndërkohë sipas Metës, "sfida e LSI-së është përkrahja e biznesit fason, të atij të mesëm dhe të vogël”. "Jemi për një sistem taksash që favorizon punësimin. Lufta më efikase kundër varfërisë është punësimi", u shpreh Meta. Së bashku me kreu e LSI-së, i pranishëm në këtë takim ishte edhe ministri i Jashtëm, Edmond Panariti, i cili foli për të drejtat e emigrantëve. Panariti tha se është në bisedime me Athinën zyrtare për të zgjidhur përfundimisht çështjen e certifikatave për të mundësuar lëvizjen e lire të shtetasve shqiptarë që jetojnë në shtetin helen./Indeksonline