E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ilir Çumani: Jetimët pjesë e gjymtuar e atdheut, si e realizova ekspozitën!

Flet Presidenti i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve

Ilir Cumani. 20 MAJ 2013Ilirin e takojmë në pedonalen e Tiranës, ku prej disa ditësh ai ka bërë të mundur pas shumë e shumë përpjekjesh të çelë ekspozitën e parë në vend, me plot 820 foto e titulluar 95 vjet rrugëtim i humanizmit njerëzor. Në ankth dhe tejet i preokupuar Iliri na rrëfen se kjo foto ekspozitë është e para në llojin e vet në Shqipëri dhe është realizuar me motivin e vetëm për më shumë vëmendje dhe kujdes ndaj jetimëve në Shqipëri, që janë shëndrruar si pjesë e gjymtuar e Atdheut, e jetojnë në harresë totale nga shteti. Në intervistën për gazetën Tirana Observër, Çumani na rrëfen të gjitha kujtimet që nga fotot ekskluzive të aktorëve dhe artistëve të mëdhenj që kanë qenë pjesë e jetimëve në vitet e hershme e deri tek sakrificat për të bërë të mundur këtë ekspozitë vetëm më të ardhurat që ai ka kursyer në vite nga Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve. Në intervistën e tij për herë të parë misionari i institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve dhe humanisti pa titull por me vlera të mëdha njerëzore, rrëfen indiferencën e instancave shtetërore për të financuar iniciativën për realizimin e të parës Foto ekspozitë me kujtime dhe foto të vjetra nga e para Strehë Vorfënore në Shqipëri, e krijuar nga atdhetari  dhe humanisti i madh Rauf Fico.

Z.Ilir, si shfaqen jetimët në ditën kombëtare të tyre?

Jetimët shqiptarë shfaqen sot si pjesë e gjymtuar e Atdheut të tyre, dhe faji për këtë edhe pse mban vulën e jetimit do tua vë si kurorë mbi krye institucioneve shtetërore dhe indiferencës së paskrupullt të tyre. Jam shumë i preokupuar pasi nuk e kam thënë më parë, u preka tej mase kur për festat e 100 vjetorit të Shqipërisë, nga instancat shtetërore për zbukurime, torta, flamuj, aksesorë si edhe për organizimet e tjera të banketeve të pakuptimta u harxhuan nga arka e shtetit rreth 5 milion euro dhe paturpësisht, ndërsa asnjë monedhë nga këto nuk i shkoi veprimtarive të jetimëve shqiptarë, kategorisë që sot endet rrugëve dhe nuk ka asnjë përkrahje. Dua të them se, politikanët e sotshëm nuk kanë asnjë lidhje dhe asgjë të ngjashme me patriotët e asaj kohe që përpara interesave vetjake vunë Kombin dhe krijuan Strehën e Parë Vorfnore për fëmijët jetimë. Por mund të them që më në fund ja dola, dhe projektin interesant që kisha në dorë për fotoekspozitën e realizova edhe pse më indiferencën e pazakontë të institucioneve përgjegjëse shtetërore.

Prej disa ditësh është çelur ekspozita çfarë tregojnë ato foto?

Ekspozita që kemi ideuar si staf i Institutit të Jetimëve me titull 95 vite Humanizëm Njerëzor, është një dokument i rrallë me foto dhe të vërteta historike për krijimin e Strehës së parë Vorfnore, që vjen si një testament i rrallë nga Patriotët dhe humanistët e shquar të asaj kohe. Dua të theksoj se historia e krijimit të shtëpisë së parë të jetimëve i përket vetëm një emri, atdhetarit të flaktë, diplomatit të shquar dhe humanistit shumë dimensional Rauf Fico. Në këtë ekspozitë shfaqen për herë të parë nëpërmjet fotove tepër interesante dhe dokumenteve të vyera e të pashfaqura më parë, historia ku do dëshmojë se si lindi ideja dhe më pas si u krijua Streha e parë Vorfnore.

Si e keni realizuar këtë ekspozitë, me çfarë të ardhurash?

Më janë dashur shumë muaj punë për marrjen e fotove dhe të dokumenteve në arkivën e shtetit për këtë ekspozitë e cila do të dëshmojë për herë të parë rrugëtimin e jetimëve, jetën dhe momentet më të bukura të jetuara në Strehën Vorfnore atje ku kanë jetuar dhe kanë qenë me statusin e jetimit edhe figura të mëdha të kombit shqiptar. Kam trokitur në shumë dyer, dhe të gjithë politikanët apo drejtuesit e shtetit më kanë kthyer shpinën, kjo foto ekspozitë është realizuar me vullnetin e mirë dhe punën e pandalshme të personave që janë pjesë e Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve të cilët bënë të mundur realizimin dhe gjetjen e fotove në arkivë e më pas punuam të gjithë bashkë për printimin dhe

Kush janë artistët shqiptarë që kanë qenë pjesë e jetimëve?

Ndër këto personalitete do të veçoja Piktorin e madh Ibrahim Kodra, Skulptori i Popullit Qamil Grezda, akademikun Bedri Dedja, aktorët e mëdhenj Serafin Fanko, i madhi Kadri Roshi, Margarita Xhepa, Violeta Manushi, Anton Çezari, Viktor Zhusti, Mark Topallaj, aktor dhe regjisor i filmit shqiptar, trajneri i Kombëtares Bejkush Birçe, si edhe personalitete të tjera të kulturës si Eno Koço, Nina Mula, Petraq Qafëzezi shkrimtari që krijoi romanin e parë për jetimët, Bonjakët, këngëtarja Ema Qazimi, Poeti Jorgo Papingji, piktori Shyqyri Sako, Zoica Hoxha, balerina e parë shqiptare, si edhe të tjera figura të ndritura që kanë jetuar me ankthet e të qënit jetim. Fotot e tyre ekskluzive mund ti gjeni në ekspozitën pranë pedonales së Tiranës.

Apeli juaj për autoritetet shtetërore, në lidhje me vëmendjen ndaj jetimëve?

Së fundmi dua të bëj apel njerëzor dhe moral që Ministria e Punës dhe të gjitha organet e tjera shtetërore të japin fonde për kategoritë e jetimëve, tu krijojnë kushte fëmijëve shqiptarë që ditë pas dite përballen me urinë, skamjen, sëmundjen, vetminë, indiferencën, trafikimin, shkeljen e të drejtave njerëzore, në çdo cep të Shqipërisë. Të përpiqemi që kushdo nga ne, ti largojmë  sado pak të mundemi fatin e hidhur këtyre fëmijëve jetimë që rriten pa familje e pa asnjë ndihmë nga shteti. Uroj që mesazhi im, mos të shkojë në vesh të shurdhët edhe kësaj here dhe mendoj që të dalë një politikan në Shqipëri që të jetë përkrah me Jetimët, tu sigurojë atyre, kushte, ushqim, arsimim dhe ndihma të tjera për të cilat ata kanë aq shumë nevojë. Të bëhemi të gjithë bashkë për mos ti ndier jetimët vetëm, pasi tani për tani ata janë të harruar e të lënë pa mëshirë në rrugë të madhe.

Fondacioni Vodafone Albania do jetë gjithnjë mbështetësi i jetimëve

20 Maji shënon një ditë tepër të vecantë për ata që më shumë se kushdo kanë nevojë për dashuri dhe mbështetje. Në Ditën Kombëtare të Jetimëve, Fondacioni Vodafone Albania në bashkëpunim me Organizatën Kombëtare të Jetimëve të Shqipërisë organizuan një sërë aktivitetesh që gëzuan fëmijë nga qytete të ndryshme të mbledhur sëbashku në këtë ditë në një familje të madhe. Aktivitetet kulmuan me një koncert madhështor tek Pedonalja e Tiranës i cili ndezi qytetin dhe fali buzëqeshje tek qindra fëmijë të pranishëm. Aktiviteti u hap nga animatorët të cilet i vunë fëmijët në lëvizje dhe me pas skena u pushtua nga këngëtarët e famshëm shqiptar si Rosela Gjylbegu, Big Basta, Gerta Heta, këngëtar të XFactor etj të cilët  kënduan me shumë dashuri këngët më të njohura duke dhënë një mesazh sensibilizues në këtë ditë të vecantë. Këngët më të bukura Shqiptare dhe të huaja sollën një atmosferë të bukur mes fëmijëve të cilët kërcyen dhe u argëtuan të gjithë sëbashku nën ritmet e muzikës dhe duke ndjekur koreografitë nga instruktorë të kërcimit të pranishëm në aktivitet. Drejtori i Fondacionit Vodafone Albania Albi Greva falenderoi të gjithë femijët e pranishëm dhe premtoi se Fondacioni do jetë gjithnjë mbështetësi dhe miku më i mire i  tyre. Vodafone Albania me anë të fondacionit të vet i kushton vëmendje të vecantë projekteve që i vijnë në ndihmë fëmijeve dhe vecanërisht fëmijëve jetime të Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›