Incidenti në Shkodër, FRD-së i fiken dritat gjatë takimit
Topi: Rama e Berisha 5 orë në media, FRD në terren me qytetarët
Fryma e Re Demokratike ka prezantuar dje mes incidentesh kandidatët për deputetë që do të garojnë në zgjedhjet e 23 qershorit në qarkun Shkodër. Pas refuzimit të dy ambienteve të mëdha nga ana e ministrisë së kulturës dhe bashkisë Shkodër, takimi u zhvillua në mjediset e kinema Millennium. I pranishëm në takim lideri i Frymës së Re, Bamir Topi, pasi shprehu mirënjohje për qytetin e Shkodrës për gjithçka ka dhënë në historinë shqiptare tha se refuzimi i ambienteve për FRD-në ka ardhur nga frika që ka pushteti për suksesin e kësaj force të re politike. Topi tha se FRD nuk është në politikë për një vend në qeverisje por për të përfaqësuar ata që nuk përfaqësohen dot duke filluar që nga ish-të përndjekurit e deri tek pronarët legjitimë. Ndërkohë që kryetari i FRD-së Bamir Topi po mbante fjalën para qytetarëve shkodranë pati disa ndërprerje të energjisë elektrike me qëllim prishjen e tubimit. Pas këtij gjesti të ulët dhe primitiv siç e quajti ai, Topi tha Unë nuk e kam zakon të merrem me kundërshtarët politikë ,por kjo që po ndodh tani më përforcon bindjen që kam punuar me njerëz të vegjël që nuk e kanë merituar të përfaqësojnë këtë vend në institucionet qendrore. Këto, tha kryetari i FRD-së janë veprime të shërbëtorëve të kryestalinistit dhe asaj që drejton institucionin të përfaqësuar në mënyrën më vulgare të mundshme. FRD u shpreh Topi do të ndjekë politikë të moderuar,kundër konfliktualitetit dhe i ftoi qytetarët shkodranë të vlerësojnë më shumë se pushtetin, harmoninë dinjitetin dhe tolerancën. Gjithashtu kryetari i FRD-së iu sugjeroi kandidatëve të FRD në qarkun Shkodër të komunikojnë drejtpërdrejt me zgjedhësit për tu shpjeguar atyre programin dhe synimet e FRD-së në një moment që kryeministri dhe kryetari i opozitës e bëjnë këtë gjë në media për 5-6 orë rresht. Takimin e përshëndeti edhe Fatlum Nurja,kandidati i parë për deputet,i cili u kërkoi hapur votën bashkëqytetarëve të tyre në zgjedhjet e 23 qershorit në mënyrë që FRD ti përfaqësojë ata denjësisht, Zef Kolombi, kryetar i FRD në qarkun Shkodër, Afërdita Hadroj, nënkryetare e FRD në Pukë dhe Denada Thana përfaqësuese e rinisë shkodran.