E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imami: Nuk ka ngërç në Kushtetutë për zgjedhjen e Presidentit

Në cilësinë e një prej bashkë-hartuesve të Kushtetutës, Arben Imami deklaroi dje se çështja e kuorumit për zgjedhjen e Presidentit lidhet pikërisht me produktin final, që është 71 vota.

TIRANË Për Partinë Demokratike, Kushtetuta e vendit është e qartë në zgjedhjen e Presidentit, qoftë sa i përket kuorumit, ashtu edhe votave që duhen. Një prej bashkë-hartuesve të Kushtetutës, Arben Imami deklaroi dje se qëllimi i dy partive të mëdha lidhur me ndryshimin e nenit për zgjedhjen e Presidentit lidhej pikërisht me shmangien e çdo mundësie të konfliktit apo bojkotit. “Qëllimi i ligjvënësit në këtë rast i dy partive të mëdha ka qenë që t’i japë stabilitet vendit dhe të përjashtojë çdo mundësi bojkoti, dhe nga kjo pikëpamje politikisht por edhe juridikisht PS-ja është e përjashtuar nga mundësia për bojkot dhe që çon në zgjedhjen me 71 vota. Këtu duhet të cilësoja edhe faktin që Kushtetuta me amendimet e vitit 2008 ka një nen të posaçëm, që thotë se votimi quhet i kryer në tri votimet e para edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat, neni 87. Kjo është një masë shumë e fuqishme, por edhe një garanci që edhe nëse do të ketë sabotime të procedurës dhe nuk do të paraqitet asnjë kandidat, në votimin e katërt ose të pestë ti mund të hysh dhe ta zgjedhësh me shumicën e thjeshtë. Pra, çështja e kuorumit është e lidhur pikësëpari me produktin final dhe produkti final është 71 vota. Kjo është arsyeja e përmirësimit kushtetues me qëllim që shumicës i jep në instancë të fundit edhe zgjedhjen e Presidentit. Nga ana tjetër duhet të theksojmë se bojkoti nuk është procedurë, nuk lufton për procedurë, por për destabilitet dhe nga kjo pikëpamje bojkoti është i përjashtuar nga diskutimi i procedurës demokratike apo procedurës parlamentare. Ai nuk çon në zgjidhje, ai çon në moszgjidhje”, - tha dje Imami. Prej disa ditësh, në Partinë Socialiste po shihet mundësia e depozitimit të një kërkese në Kushtetuese për çështjen e kuorumit të nevojshëm në sallën e Parlamentit për të hapur votimin për tri raundet e para. Për PS-në, Kushtetuta e ka të paqartë këtë etapë, ndërsa për demokratët gjithçka duket në rregull sa kohë që dokumenti themeltar i jep të drejtën që në raundin e katërt apo të pestë të zgjedhe një kandidat për president me shumicën e thjeshtë të votave, 71. Në bazë të nenit 87 të ndryshuar të Kushtetutës në vitin 2008, kandidati për president i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh. Një deputet nuk lejohet të propozojë në të njëjtën kohë më shumë se një kandidat. Presidenti i Republikës zgjidhet me votim të fshehtë dhe pa debat nga Kuvendi. Për zgjedhjen e Presidentit, Kuvendi zhvillon deri në pesë votime. Votimi i parë zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e Presidentit. Secili nga votimet e tjera zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga përfundimi pa sukses i votimit pararendës. Votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat. Në votimin e dytë, të tretë dhe të katërt mund të paraqiten kandidatë të rinj. Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në votimin e katërt dhe të pestë zgjidhet president kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›