Klosi: Presidenti nuk duhet t’i përkasë klanit të Berishës
TIRANË Ndryshe nga Partia Demokratike, socialistët shprehen se fryma e Kushtetutës imponon zgjedhjen e një presidenti konsensual. Sekretari Organizativ në PS, Blendi Klosi deklaroi dje se Presidenti i ri duhet të zgjidhet me konsensus dhe përmes një debati konstruktiv. "Të kemi një rrugë konsensuale, një rrugë të debatuar, një rrugë të miraprovuar nga faktorët e brendshëm dhe nga partnerët ndërkombëtarë, veprime dhe vendimmarrje, të cilat i shërbejnë së ardhmes europiane të Shqipërisë dhe mos t’i shërbejë ndarjes në kampet politike, mos t’i shërbejë uzurpimit të çdo institucioni nga Sali Berisha. Presidenti i Shqipërisë apo Presidenti i një republike parlamentare duhet të jetë një burrë apo grua, ç’rëndësi ka, që duhet të përfaqësojë dhe të mbrojë interesat e të gjithëve, mos të jetë pjesë e familjes kryeministrore, mos të jetë pjesë e klaneve, të cilat mbajnë në këmbë jetën luksoze të Kryeministrit", - tha Klosi. Sekretari organizativ foli edhe për strategjinë që opozita do të ndjekë në Kuvend për draftet që kërkojnë 84 vota. "Po punojmë për të ofruar dhe kemi ofruar propozime konkrete. Do të jenë pjesë e diskutimeve parlamentare, në komisione e pastaj në parlament, për të miratuar jo vetëm ligje sepse duhen të miratohen me 3/5-at, por edhe ligje që do t’i shërbejnë forcimit të shtetit, pasi ligjet me 3/5-at nuk janë ligje për forcat politike, por janë ligje për forcimin e shtetit në Shqipëri", - tha Klosi. Ai theksoi gjithashtu se PS-ja do të jetë prezente me propozime konkrete për çdo draft ligjor që qeveria do të sjellë në sallën e Parlamentit.